Mijëra persona dolën në rrugët e Londrës me pankarta në duar, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit David Cameron, pas përfshirjes së tij në skandalin e “Panama Papers”.
Pasi u detyrua të pranojë përfitimin nga aksionet e shoqërisë offshore të ngritur nga babai i tij, kreu i qeverisë tha në një dalje publike se duhet të kishte menaxhuar më mirë deklarimin e tij të pasurisë.
Cameron premtoi se në ditët e ardhshme do të publikojë të gjitha të ardhurat, që nga koha kur u zgjodh Kryeministër.
Në El Salvador autoritetet bastisën zyrat e selisë së Mosak Fonsekës në vend. U sekuestruan dokumenta dhe pajisje kopjuterike të zyrës ligjore, që ishte në themel të skandalit “Panama Papers”. Ministri vendas i Drejtësisë tha se qëllimi i këtij operacioni është zbulimi i të dhënave të reja rreth përfshirjes se personave të tjerë në skandal.
Mega – skandali financiar “Panama Papers” përfshiu krerë shtetesh, politikanë e njerëz të famshëm.
11.5 milionë dokumentat e siguruara nga gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung”, shkaktuan një tërmet të vërtet global, viktima e së cilës deri më tani ishte Kryeministri islandez, që dha dorëheqjen pas protestave të qytetarëve kundër tij./Klan