Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, këtë të mërkurë së bashku me Administratorin e OSSH, Blendian Dalipi, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve për fuqizimin e nënstacionit elektrik në Pogradec, i cili do të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për 40 mijë banorë.
Balluku tha se investimet e nisura, kanë në fokus fillimisht zonat urbane dhe veçanërisht ato turistike si Pogradeci, Durrësi, Vlora apo dhe Ksamili, për t’u shtrirë më tej edhe në zonat rurale të vendit.
“Ky është viti i parë që ne, pas të gjitha krizave që filluan me tërmetin e 2019 dhe pasuan me pandeminë dhe krizën energjetike, kemi një plan të mirë investimesh. Duke pasur një prioritet për zonat urbane, siç janë qytetet, sigurisht prioritet kryesor mbajnë ato qytete të cilat kanë dhe kapacitete turistike, duke qenë se turizmi ka qenë në vitin 2023 një nga sektorët më të suksesshëm, me 10 milionë vizitorë gjatë vitit dhe presim në 2024 mbi 13 milionë dhe sigurisht këto zona janë në fokusin tonë, siç është Pogradeci, Durrësi, Vlora apo dhe Ksamili. Por, nga ana tjetër, sipas një liste prioritare dalëngadalë ne do të futemi edhe në zonat rurale.
Ne kemi një target të qartë që është ulja e humbjeve teknike në rrjet. Askush nuk duhet ta harrojë që i kemi marrë këto humbje teknike në vitin 2013 në nivelin 45% dhe sot jemi më pak se 19%. Synojmë që ta ulim dhe i gjithë plani i punës, gjithë koordinimi që duhet të ketë midis njësive, qoftë të OSSH-së, ashtu dhe të OST-së, në terren është që ne të kontribuojmë për uljen e këtyre humbjeve. Nga ana tjetër edhe modernizimi dhe inovacioni që do të vijë brenda ndërmarrjes ka pikërisht për synim këtë. Sepse me uljen teknike që ne përmendim shpesh duhet pasur parasysh që fillojmë dhe shëndoshim financiarisht kompaninë, duke i dhënë mundësinë kështu për të investuar më tej, qoftë në incentivimin e punonjësve, ashtu siç kemi bërë këtë vit duke rritur pagat me 30%”, u shpreh Balluku.