Policia e Krujës, Policia e Durrësit dhe FNSH Tiranë kanë zhvilluar një aksion anti-drogë në Krujë.
Policia njofton se gjatë aksionit janë zbuluar dhe shkatërruar “59 lera të ndërtuara me plastmasë, të cilat shërbenin për të grumbulluar ujë, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike.”
Sipas autoriteteve, janë evidentuar dhe 41 vende që ishin hapur rishtas në zona të pyllëzuara dhe malore të Krujës për të kultivuar bimë narkotike.
Njoftimi i policisë:
Krujë-Kontroll masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Në kontroll Policia e Krujës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe FNSH Tiranë. Gjatë kontrollit masiv, shërbimet e Policisë kanë përdorur disa dronë për të kontrolluar territorin. Si rezultat i kontrolleve me dronë, në Krastë, Picrragë, Nikël e Barkanesh u evidentuan dhe u shkatërruan 59 lera të ndërtuara me plastmasë, të cilat shërbenin për të grumbulluar ujë, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, po nga monitorimi me dronë dhe kontrolli me këmbë i territorit u evidentuan dhe 41 vende që ishin hapur rishtas në zona të pyllëzuara dhe malore të Krujës, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike. Operacioni i kontrollit të territorit vijon./ Opinion.al