Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në nisjen e ndërtimit të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë pranë Parkut të Liqenit të Tiranës.
Krybashkiaku është shprehur se Parku i Liqenit është transformuar nga investimet e Bashkisë, ndërsa kujtoi projektet që po zbatohen në këtë zonë.
“Nuk e fsheh dot gëzimin që Parkut të Liqenit i shtohet një tjetër stoli dhe si kryetar bashkie më duhet të sqaroj se propozimi që kishte Edi në fillim, e sot zbatohet nga Ministria e Kulturës, nga një kazermë e madhe i është kthyer qytetit, i është dhënë Bashkisë së Tiranës si park. Gjysma tjetër i kthehet qytetit, me infrastrukturë, pra vazhdon rruga “Ibrahim Rugova” nga rrethrrotullimi i ish Gardës, përshkon të gjithë Gardën duke ndarë në mes pjesën që i shkon Parkut dhe pjesa e teatrit Kombëtar të Kukullave dhe Qendrës së fëmijëve, për t’u lidhur pastaj me rrugën e Kosovarëve”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i është përgjigjur gjithashtu dhe kritikëve për sa i përket ndërtimeve në Tiranë.
“Të gjithë legjendat urbane për ndërtime e kulla do të duhet t’i sqarojmë njëherë e mirë sot. Bëhet fjalë për t’i dhënë qytetit gjysmën e ish Gardës si park dhe gjysmën e terrenit të ish Gardës, pronë publike, për t’ia kthyer qytetit në dy troje ku do të materializohen dy super projekte; projekti i teatrit Kombëtar të Fëmijëve dhe projekti i Bibliotekës Kombëtare”, tha Veliaj.
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do jetë një ndërtesë dinjitoze, pol kulturor multifunksional plot hapësira për fëmijët, të cilët do të mund të zbulojnë dhe kultivojnë talentet e tyre në shumë fusha.