Ka nisur në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, gjyqi në ngarkim të anëtares së opozitës në Këshilli Bashkiak, Reila Bozdo, ku paditëse është ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e cila kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim për një deklaratë që Bozdo ka bërë nga foltorja e Partisë Demokratike.
Koordinatorja e PD, Reila Bozdo, akuzoi për korrupsion pak kohë më parë ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, lidhur me tenderin prej 850 milionë lekë, për vëzhgimin e hapësirës detare, që sipas demokratëve e ka fituar një dyqan celularësh.
“Faktet e zbuluara nga kontrolli që është bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, janë rrëqethëse, janë abuzim i paimagjinueshëm, që nxjerrin në pah hajdutërinë me çizme të Mimit të Ramës. Kontrolli ka zbuluar se tenderin për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, Kodheli ia ka dhënë një dyqani celularësh në rrugën e Durrësit.
Pra dyqani i përzgjedhur i Kodhelit në rrugën e Durrësit do të monitorojë hapësirën detare, dhe po flasim pikërisht për rrugët nga ku kalon trafiku i drogës”, tha Bozdo në deklaratën për shtyp.