Ali Qazimaj, shtetasi shqiptar i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet britanike për vrasjen e një çifti pensionistësh, është zbuluar dhe më pas arrestuar në Luksemburg.
Ai ishte zhdukur pas ngjarjes dhe u arrestua mbrëmjen e kaluar në Luksemburg. Lajmin e kanë raportuar mediat britanike dhe thonë se është i konfirmuar edhe nga autoritetet policore të Luksemburgut. 42vjeçari është dërguar në burg.
“Daily Mail” shkruan se ishte një punonjës i hostelit ku rrinte shqiptari ai që e identifikoi Qazimajn dhe njoftoi policinë. NGJARJA Qazimaj dyshohet se ka vrarë me thikë Peter Stuart, 75 vjeç si edhe dyshohet se është përgjegjës për zhdukjen e gruas së tij, Silvias, 69 vjeçe. Policia britanike thotë se ka pak shpresa që gruaja e viktimës të jetë gjallë dhe në duart e Qazimajt. Kishte dyshime të forta se Qazimaj u arratis në Francë dhe prej andej do të tentonte të kthehej në Shqipri.
Policia e Kentit ka gjetur automjetin e tij Citroen C3 të braktisur në portin e Doverit. Kjo ngriti dyshime se ai mund të kishte kaluar në Francë. Policia ka arrestuar djalin e çiftit, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i Qazimajt në vrasjen e tyre. Ka dyshime se gjithçka është bërë për një apartament, që djali i çiftit kërkonte ta përvetësonte. Dëshmitarët thonë se para vrasjes, Qazimaj kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri.