Nga Rob Picheta
Ndërsa bota ka ngrirë në një bllokim të pazakontë dhe njerëzit po qëndrojnë brenda banesave të tyre, shpresat e njerëzve janë të lidhura tek ajo që do t’i jepte fund pandemisë: vaksina.
Por ka një tjetër skenar më të keq: që vaksina të mos krijohet kurrë. Në këtë drejtim shpresat e publikut janë rritur e më pas shuar, ndërsa zgjidhje dhe alternativa të ndryshme janë hedhur në diskutim përpara se të mbërrihet në një rezultat final.
Përpara se të ndahen prej Covid-19, shoqëritë duhet të mësohen të jetojnë me të. Qytetet do të hapen me ngadalë dhe disa liri do të kthehen, por në një zinxhir të shkurtër duke ndjekur rregullat e ekspertëve. Testimet do të bëhen pjesë e jetës sonë, ndërsa në shumë vende një masë vetizolimi mund të rikthehet në çdo kohë. Mjekime mund të zhvillohen, por shpërthimi i sëmundjes mund të ndodhë çdo vit dhe numri global i vdekjeve të vazhdojë të rritet.
Është kjo një pjesë rrallë herë e përmendur në publik nga politikanët që janë duke folur me optimizëm rreth testimeve në njerëz për të gjetur një vaksinë. Por kjo mundësi është parë shumë seriozisht nga ekspertët, sepse ka ndodhur edhe më parë. Shumë herë. “Ka disa viruse ndaj të cilëve ne ende nuk e kemi një vaksinë”, thotë Dr. David Nabarro, profesor i shëndetit global në “Imperial College London”, që shërben si i dërguar special në OBSH lidhur me Covid-19. “Ne nuk mund të bëjmë një supozim të saktë se vaksina do të krijohet dhe nëse ajo do të krijohet do të kalojë testet e efikasitetit dhe të sigurisë. Koha e nevojshme për një vaksinë është 18 muaj. Është thelbësore që të gjitha shoqëritë kudo, ta vendosin veten në një pozicion ku janë në gjendje të mbrohen nga koronavirusi si një kërcënim konstant dhe të jenë në gjendje të vijojnë aktivitetin ekonomik e social me virusin e pranishëm”, tha Nabarro për CNN.
Shumica e ekspertëve mendojnë se një vaksinë Covid-19 mund të zhvillohet; sepse ndryshe nga sëmundjet e mëparshme si HIV dhe malaria, koronavirusi nuk ndryshon me shpejtësi.
Shumë ekspertë, përfshirë edhe drejtuesin e Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci, sugjerojnë se do të duhet 1 vit deri në 18 Muaj. Të tjera figura, si Shefi Mjekësor britanik Chris Ëhitty, kanë thënë se një vit do të ishte shumë shpejt.
“Ne kurrë nuk kemi patur një vaksinë në një vit apo 18 muaj”, ka thënë për CNN, Dr. Peter Hotez, dekan i Shkollës Kombëtare të Mjekësisë Tropikale në Houston. “Nuk do të thotë se është e pamundur, por do të ishte një arritje heroike. Na duhet një plan B”, thotë ai.
Kur vaksina nuk funksionon
Në vitin 1984, Sekretare e Përgjithshme e Shëndetit dhe Shërbimeve Humane Margaret Heckler njoftoi në një konferencë në Uashington, se shkencetarët kishin identifikuar virusin e HIV dhe se vaksina do të ishte gati për testime brenda 2 vjetësh. Gati 4 dekada më pas, me më shumë se 32 milionë vdekje, bota është ende duke pritur një vaksinë për HIV.
Kërkimet nuk u ndalën aty, në vitin1997, Presidenti Bill Clinton tha se SHBA do të kishte një vaksine brenda një dekade. 14 vite më parë shkencëtarët thanë se do të duheshin ende edhe 10 vite.
Vështirësitë e gjetjes së një vaksine ndaj HIV /AIDS lidhen me natyrën e tij. “Virusi i gripit është në gjendje të ndryshojë nga një vit në tjetrin , kështu që infektimi natyror ose vaksina e një viti më parë nuk funksionon. HIV e bën këtë gjatë një infektimi të vetëm. Ai ndryshon brenda trupit dhe është sikur njeriu të jetë infektuar nga mijëra viruse te llojeve te ndryshme HIV”, thotë Paul Offit, një mjek i sëmundjeve infektive dhe specialist bashkëpunëtor në vaksinën e rotavirusit.
Mësimet e nxjerra nga AIDS për koronavirusin
Por ka edhe sëmundje të tjera, që kanë sporivuar shkencëtarët dhe trupin e njeriut. Një vaksinë efeketive për ethet tropikale që infektuan 400,000 njerëz në vit pati në 2017 një përpjekje madhore për t’u realizuar dhe më pas u pezullua sepse i përkeqësonte simptomat. Ngjashmërisht ka qenë e vështirë të zhvillohen vaksina për rinoviruset apo adenoviruset, që ashtu si koronavirusi mund të shkaktojnë simptoma ftohjeje.
Testime po kryhen nga Universiteti i Oksfordit në Angli për një vaksinë të krijuar nga virusi tek shimpazeja dhe prodhuar nga Moderna. Pjesa e saj e vështirë është që të tregojë se funksionon dhe është e sigurt.
Plan B
Nëse i njëjti fat do të jetë edhe për vaksinën e Covid-19 virusi mund të qëndrojë mes nesh për shumë vite. Por përgjigja mjekësore ndaj HIV/AIDS krijon edhe një model të të jetuarit me sëmundjen. “Tek HIV, ne arritëm ta kthejmë atë në një sëmundje përmes antiviralëve. Arritëm atë që gjithmonë kemi shpresuar të bëjmë me kancerin. HIV nuk është një dënim me vdekje si në vitin 1980”, tha Offit.
Një numër trajtimesh po testohen edhe për Covid-19, ndërsa shkencëtarët po shohin për një plan B paralelisht me testet e vaksinës. Në Amerikë shkencëtarët po shohin efektet e një mjekimi antiebola që është remdesivir, apo edhe trajtimin me plazma.
Por sa efektiv do të jetë një trjtim varet nga mënyra se si funsionon dhe asnjë trajtim nuk do të ndalonte që sëmundja të përhapej në shoqëri. Kjo do të thotë që do të ishte më e lehte të menaxhohej, por do të ishte aty për shumë vite ne të ardhmen.
Si do të ishte jeta pa vaksinë
Nëse një vaksinë nuk do të prodhohet, jeta nuk do të mbetet si tani. Ajo thjesht nuk do të kthehet shumë shpejt në normalitet.
“Mbyllja nuk është e përhstatshme ekonomikisht dhe mundësisht as politikisht, Do na duhen mënyra të tjera ta kontrollojmë virusin”, thotë Neal.
Kjo do të thotë se ndërsa vendet nisin të dalin nga mbyllja, ekspertët duhet të shtyjnë qeveritë të implementojnë një mënyrë të re jetese dhe të veprojnë për të fituar kohë, derisa Covid-19 të eleminohet nga një vaksinë.
“Është absolutisht thelbësore të punohet duke qenë të gatshëm ndaj Covid”, thotë Nabarro. Ai flet për një kontratë sociale, ku qytetarët në çdo vend ndërsa nisin jetën e tyre normale duhet të marrin përgjegjësi personale për vetëizolim nëse kanë simptoma apo bien në kontakt me persona potencialisht të prekur nga Covid-19.
Ekspertët parashikojnë edhe një ndryshim të përhershëm të të shkuarit në punë. Tashmë do të ketë më shumë punë në distancë, punë nga shtëpia, të paktën në disa ditë duke e bërë një mënyrë standarde të jetës për punonjësit e “jakave të bardha”. Kompanitë pritet të zhvendosin praktikat e tyre në mënyrë që zyrat të mos jenë kurrë plot në mënyrë të panevojshme.
“Kjo duhet të bëhet një mënyrë e sjelljes që ne të gjithë i atribuojmë përgjegjësisë personale … duke i trajtuar ata që janë të izoluar si heronj”, thotë Nabarro. “Duhet një pakt kolektiv për mbijetesë dhe mirëqenie përballë kërcënimit të virusit.
“Do të jetë e vështirë të bëhet në kombet më të varfra,” shton ai, kështu që gjetja e mënyrave për tu mbështetur nga vendet në zhvillim do të bëhet “veçanërisht e ndërlikuar politikisht, por edhe shumë e rëndësishme”.
Ai përmend kampet e refugjatëve dhe emigrantëve si zonat më shqetësuese.
Në afat të shkurtër, Nabarro thotë se një program i gjerë i testimit dhe gjurmimit të kontakteve do të duhej të zbatohej për të lejuar që jeta të funksionojë së bashku me Covid-19.
“Absolutisht i rëndësishëm duhet të jetë një sistem i shëndetit publik që përfshin gjurmimin e kontakteve, diagnozën në vendin e punës, monitorimin për mbikëqyrje sindromike, komunikimin e hershëm nëse duhet të riafirmojmë distancimin shoqëror”, shton Hotez.
“Nëse ka një transmetim minimal, mund të jetë e mundur të hapen edhe ngjarje sportive dhe tubime të tjera të mëdha”, – thotë Hotez – “por një veprim i tillë nuk do të ishte i përhershëm dhe do të duhej të vlerësohej vazhdimisht nga qeveritë dhe organet e shëndetit publik”.
Kjo do të thotë se Premier League, NFL dhe ngjarje të tjera masive mund të rinisin për sa kohë që atletët do të testohen rregullisht dhe tifozët do të jenë të ndarë.
“Baret dhe lokalet janë ndoshta të fundit në listë, sepse ato janë të mbingarkuara,” sugjeron Neal. “Mund të rihapen restorante, me distancë sociale.” Disa vende evropiane kanë sinjalizuar se do të fillojnë të lejojnë restorantet t’u shërbejnë klientëve me kapacitet të zvogëluar.
Kufizimet ka shumë të ngjarë të kthehen gjatë dimrit pasi Hotez sugjeron që kurba e Covid-19 mund të ngrihet çdo dimër derisa të futet në lojë një vaksinë.
Edhe bllokimet, shumë prej të cilave janë në proces të heqjes graduale, mund të kthehen në çdo moment. “Kohë pas kohe do të ketë shpërthime, lëvizja do të jetë e kufizuar – dhe kjo mund të zbatohet për pjesë të një vendi, ose madje mund të zbatohet për një vend të tërë,” thotë Nabarro.
Sa më shumë kohë kalon, aq më imponuese bëhet perspektiva e debatuar e “imunitetit të tufës” kur shumica e një popullate të caktuar, rreth 70% deri 90%, bëhet imun ndaj një sëmundjeje infektive. “Kjo mund të ndodhë pas hapjes së kufijve megjithëse imuniteti i popullatës i shkaktuar nga një infeksion natyror nuk është mënyra më e mirë për të siguruar imunitetin e popullatës. Mënyra më e mirë është vaksina” – thotë Offit.
Fruthi është “shembulli i përsosur”, thotë Offit – përpara se vaksina të përhapej, “çdo vit, 2 deri në 3 milionë njerëz prekeshin nga fruthi”. Me fjalë të tjera, sasia e vdekjeve dhe vuajtjeve nga Covid-19 do të ishte e madhe edhe nëse një pjesë e madhe e popullsisë ka fituar imunitet.
Të gjitha këto parashikime zbehen nga një besim i përgjithshëm se një vaksinë do të zbulohet. “Unë mendoj se do të ketë vaksinë – ka shumë para, ka shumë interes dhe objektivi është i qartë,” – thotë Offit.
Por shpërthimet e mëparshme kanë vërtetuar një gjë, se “gjuetia” për vaksinat është e paparashikueshme. “Unë nuk mendoj se një vaksinë do të zhvillohet shpejt,” – paralajmëron Offit. “Do të isha i befasuar nëse do të kishim diçka në 18 muaj.”