“Babai punonte në sallën operative të policisë së Fierit. Dje fatkeqësisht mori lajmin tragjik gjatë kohës që ndodhej në punë…”, kështu është vënë në dijeni babai i efektivit të policisë Novruz Cenalia, për vrasjen e të birit.
28-vjeçari, jeta e të cilit u ndërpre tragjikisht mesditën e së hënës në fshatin Baltëz të Fierit, do të përcillet paraditen e së mërkurës drejt banesës së fundit. Por shkaqet për vrasjen e tij me një plumb në kokë në mes të rrugës, janë ende të paqarta.
Shumë pikëpyetje ka për vdekjen e efektivit të “Shqiponjave”, i cili të hënën po shkonte për në punë, kur u qëllua për vdekje me pistoletë nga Azgan Mërnica. Ky i fundit, vetëm 23-vjeç, u arratis menjëherë pas krimit. Pavarësisht kontrollove të shumta në disa fshatra të Fierit ku dyshohet se ai fshihet, deri në këto momente arrestimi i tij nuk është bërë ende i mundur. Duket se edhe thirrjet publike si ajo e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla një ditë më parë për t’u vetëdorëzuar, kanë rënë në vesh të shurdhët.