Pas ezaurimit të njërit prej shanseve në dispozicion që mbrëmjen e të martës, me fitoren e Turqisë 2-0 ndaj Republikës Çeke, gjithashtu dhe pas barazimit të sotëm mes Portugalisë dhe Hungarisë, që përcaktuan vendin e tretë të radhës me statistika më të mira se ato të Shqipërisë, është zyrtarizuar eleminimi i Kombëtares Kuqezi nga ky Kampionat Europian historik. Shqipëria, me tre pikë të grumbulluara nga tre ndeshje spektakolare në Grupin A, nuk arrin të kalojë në turin e 1/8, mes katër ekipeve të renditura në vendetet e treta, si më të mira.
Pikërisht, sikur ta kishte parandjerë, kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës dhe inspektimit të tij në punimet për prishjen e stadiumit “Qemal Stafa”, ka zbuluar faktin se kuqezinjtë mbërrijnë në Shqipëri të enjten, rreth orës 5 të pasdites, duke paralajmëruar edhe një pritje festive. “Nëse nuk do të ketë një kthesë rrënjësore dhe të mirëseardhur të fatit, Kombëtarja nesër rreth orës 5 do të zbarkojë në atdhe dhe ne jemi të gjithë mëse të lumtur që ta mirëpresim duke ftuar të gjithë dashamirësit e Kombëtares, që e kanë të mundur, që të na bashkohen”, informoi kryeministri, Edi Rama.