Policia e Korçës ka arrestuar një 33-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, organizim të lojërave të fatit dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në kuadër të operacionit Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policor u vu në pranga shtetasi Matheos Dërsniku, 33 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 27.09.2024, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin, dhe është larguar me shpejtësi. Gjatë kontrollit të kryer me vendim të Gjykatës së Korçës, në banesën e 33-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, me celular.