Këtë 15 janar bëhen 27 vjet nga dita kur trupat paramilitare serbe së bashku me forcat speciale serbe kryen një prej masakrave më të frikshme në fshatin Reçak të Kosovës. 45 persona humbën jetën, më i vogli 12 vjeç dhe më i madhi 90 vjeç. Të gjithë burra. Të gjithë u vranë, disave prej tyre iu hoqën kokat dhe ishin në luginë pa kokë.
27 vjet më pas Sylejman Kllokoqi rrëfen në emisionin “Opinion” ditën e errët të 15 janarit në Reçak, kur arriti për herë të parë dëshmojë trupat e personave që humbën jetën. Ai rrëfen se si e mori lajmin dhe si ishin kontaktet e para me banorët e Reçakut.
“Lajmin e kam marrë një ditë më parë që ka luftime në Reçak nga shtypi këtu dhe disa njerëz të OSBE-së. Të nesërmen në mëngjes unë hyra në Reçak sepse dëgjova që ishte larguar policia serbe dhe takimi i parë ishte me një njeri pa kokë në oborr të një familjeje, i cili ishte i mbuluar dhe familja duke qarë po i kërkonte kokën. Ia kishin prerë kokën.
Aty fillova pyeta fshatarët nëse kishte të tjerë të vdekur diku tjetër, sepse nuk kishte informata që ka në fshat dhe më thanë ‘po vazhdo kësaj rruge, në anën e majtë ka ende trupa’. Në anën e majtë në dalje nga fshati unë pashë edhe pesë trupa të tjerë, me një vend dy, ata kanë qenë duke ikur nga fshati dhe janë vrarë. Ishin dy trupa në anën e majtë, dy në anën e djathtë dhe më andej një tjetër.
Derisa vazhdova më lart, ku shkova dhe i pashë trupa të pa jetë luginën atje, i filmova të gjitha shpejt. Emocionet i kisha të mëdha, por mendoja më shumë fotografinë, për ta dëshmuar”, tha Sylejman Kllokoqi.
















