Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Në 1992 u vendos në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, kandidat për Çmimin Nobel të Paqes! Kush ishte Anastas Janullatos

2025/01/25 at 6:49 PM
në Aktualitet, Te Fundit
Kohë leximi: 9 min
A A
Në 1992 u vendos në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, kandidat për Çmimin Nobel të Paqes! Kush ishte Anastas Janullatos

Shuhet në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos. Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë mbylli sytë përgjithmonë, pas disa javësh i shtruar në spitalin e Evangelismos, në Athinë. Kryepeshkopi pësoi hemorragji gastrike, ku pas disa ditësh mjekimi në një spital të Tiranës, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, duke bërë që më 3 janar të transportohej me urgjencë, me një avion të Forcave Ajrore, drejt Athinës. Pas disa javësh në spital, Kryepeshkopi Janullatos ka humbur betejën për jetën, duke lënë pas dhimbje të madhe për familjen, të afërmit dhe të gjithë besimtarët ortodoksë.


Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga Patriku i Kostandinopojës në janar të vitit 1991, ku punoi për rilindjen e kishës që ishte shkatërruar gjatë 40 viteve persekutimi nga regjimi komunist. Ai ia dedikoi jetën rindjezes së shpirtit misionar të Kishës Ortodokse dhe pas më shumë se 30 vitesh në Shqipëri, duket se ai e arriti qëllimin e tij.

Jeta e Kryepeshkopit Anastas dhe puna e tij mund të përmblidhen në vetë fjalët e tij: “Ky është kontributi më i madh që kam dhënë, një kontribut teologjik për të ndihmuar Kishën të rizbulojë kush është në të vërtetë. Është një kontribut jete. Pozicioni im teologjik ka qenë gjithmonë të jetoj në misterin e një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike. Të jetoj misionin e Kishës në këndvështrimin e saj të saktë universal dhe eskatologjik”.

Anastas Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në një familje besimtarësh ortodoksë në Greqi. Ai u rrit me besim dhe gjatë viteve të formimit merrte pjesë në mënyrë aktive në Kishë. Në fillim atij i pëlqente matematika dhe gjatë viteve të adoleshencës ai dëshironte të vazhdonte studimet në këtë shkencë.

Idetë e tij ndryshuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë viteve të luftës, Anastasi filloi të përjetonte besimin e tij në një mënyrë më personale. Ai ishte dëshmitar i shumë vuajtjeve dhe shkatërrimeve të luftës. Brenda kaosit mundi të gjente kuptim vetëm duke gërmuar thellë në besimin e tij. Që bota dhe vendi i tij të shpëtonte nga të këqijat e luftës, si dhe nga pasojat e luftës civile në Greqi, Anastasi kuptoi nevojën urgjente për një mesazh paqeje të brendshme, paqeje që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit.

Kjo përvojë e drejtoi Anastasin që të braktiste dëshirat e tij për fushat e tjera të studimit dhe të ndiqte teologjinë. Kaq drithëruese ishte kjo dëshirë sa që ai thoshte: ”Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin”.

Prandaj në vitin 1947, ai filloi Fakultetin Teologjik në Universitetin e Athinës, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1951. Pas shërbimit ushtarak, Anastasi u bashkua me vëllazërinë “ZOI” (JETA), një organizatë fetare e përqendruar në rilindjen shpirtërore të Kishës në Greqi dhe jetoi me besimin deri në frymën e fundit.

PROFIL I DETAJUAR:

Kryepeshkopi Anastas i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë.

Më 1947 përfundoi shkëlqyeshëm shkollën e mesme. Më 1953 diplomohet në Universitetin Kombëtar të Athinës.

Në vitet 1965-69 kreu studimet pasuniversitare në Historinë e Feve, Etnologji, Misiologji dhe Afrikanologji në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut. U mor me kërkime në Universitetin e Makereres, në Kampala-Uganda, me bursë të Fondacionit gjerman “Alexander Fon Humboldt”. Është Doktor Nderi i Fakultetit Theologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1970, Summa cum laude). Ka studiuar fe të ndryshme (Induizëm, Budizëm, Taoizëm, Konfucianizëm, Fe afrikane, Islam) në vendet ku ato lulëzojnë (p.sh. Indi, Tajlandë, Sri Lanka, Kore, Japoni, Kinë, Kenia, Uganda, Tanzani, Nigeri, Brazil, Karaibe, Liban, Siri, Egjipt, Turqi).

Përveç greqishtes së re dhe të vjetër zotëron gjuhët e huaja anglisht, frëngjisht, gjermanisht. Njeh gjithashtu për përdorim latinishten, italishten, spanjishten, rusishten, suahilin, shqipen.

Lehrbeauftragte, për mësimin e Greqishtes së re dhe të Filologjisë – Universiteti i Marburgut, Gjermani (1966-69). Profesor i Asociuar i Historisë së Feve (1972-76). Profesor i Historisë së Feve në Universitetin Kombëtar të Athinës (1976-96). Prof. Emeritus (1996 e në vazhdim).

Në të njëjtin Universitet: Drejtor i Departamentit të Shkencës së Feve dhe Sociologjisë (1983-86). Dekan i Fakultetit Teologjik dhe anëtar i Senatit (1983-86). Anëtar i Komitetit të Kërkimit të Universitetit të Athinës (1986-1990). Ai ka organizuar dhe drejtuar “Qendrën e Studimeve Misionare” në Universitetin e Athinës (1971-76) dhe “Qendrën Ndërorthodhokse të Athinës” të Kishës së Greqisë (1971-75).

Ka qenë anëtar i Këshillit të Qendrës së Studimeve Mesdhetare dhe Arabe (1978-82).
Doktor Nderi i Teologjisë: i Fakultetit Teologjik “Kryqi i Nderuar”, Bruklin Ma. USA (1989); i Fakultetit Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut (1995); i Fakultetit Orthodhoks të Shën Vladimirit New York (2003); i Fakultetit Teologjik të Universitetit të Krajovës (2006); i Fakultetit Teologjik të Universitetit Pontifikal të Italisë së Jugut (2009). Anëtar nderi i Akademisë Teologjike të Moskës (1998). Partner i Akademisë Orthodhokse të Kretës (2001). Diploma D. Staniloae e Universitetit të Bukureshtit (vlerësimi më i lartë i këtij Universiteti) (2003).

Doktor Nderi i Filozofisë: i Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Janinës (1996); i Universitetit Agrokultural të Athinës (1996); i Departamentit të Shkencave Politike dhe Administrimit Publik të Ligjit, i Ekonomisë dhe i Shkencave Politike dhe i gjithë Departamenteve të Fakultetit Filozofik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1998); i Departamentit të Studimeve Ndërkombëtare dhe Evropiane të Universitetit të Pireut (2001); i Departamentit të Filologjisë të Universitetit të Kretës (2002); i Departamentit të Fizikës, Mjekësisë, Edukimit primar dhe Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Patras (2002); Doktor i Letrave Humane i Universitetit të Bostonit (2004); i Departamentit të Mjekësisë dhe Agrikulturës të Universitetit të Thesalisë, gjithashtu Medaljen e Artë (vlerësimi më i lartë) i këtij Universiteti (2005); i Departamentit të Historisë të Universitetit Jonian, Korfuz (2007); i Universitetit të Korçës (2008); i Departamenteve të Historisë dhe të Etnologjisë, si edhe të Gjuhëve dhe Kulturës të Universitetit “Demokriti” të Universitetit të Thrakës (2009); i Universitetit të Qipros (2010); i Departamentit të Filologjisë, të Fakultetit të Shkencave Humane dhe Administrimit të Pasurive Kulturore, të Universitetit të Peloponezit (2016).

Anëtar Korrespondent i Akademisë së Athinës (1993-2005). Nga viti 2005 e në vazhdim Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës.

Është dorëzuar Dhjak (7.8.1960); Prift-Arkimandrit (24.5.1964); Episkop i Andrusës për detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të “Apostoliki Dhiakonia” (Shërbimi Apostolik) të Kishës së Greqisë (19.11.1972); Mitropolit (1992). Kryepiskop mëkëmbës i Kryepiskopatës së Shenjtë të Irinupolit – Afrika Perëndimore (Kenia, Uganda, Tanzani) në vitet 1981-91. Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1992-).

Për shërbimin në Afrikë dhe në Shqipëri: ka qenë anëtar i Këshillit të Shkollës së Lartë të Punonjësve Socialë (1977-84); i Komitetit të Lartë Zyrtar për Kishën e Greqisë (1977-85); i Komitetit të Edukimit Kishtar të Ministrisë së Edukimit Kombëtar dhe Feve (1977-1982); i Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Qipros (1985-91), i Komisionit të Bursave të Fondacionit “Aleksandër Onasis” (1978-94); i Fondacionit “Aleksandër Onasis” (1994-2005). Anëtar i Shoqërisë Filekpedheftiki (1994 e në vazhdim).

Veprimtaria ndërkishtare ndërkombëtare

Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv për Misionarizmin Jashtë Vendit (1958-61) dhe Zëvendëspresident i Organizatës Ndërkombëtare të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos” (1964-1977); Themelues dhe President i Qendrës Ndërorthodhokse Misionare “Porefthendes” (nga viti 1963). Ai ka qenë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Misionarizmin të Këshillit Botëror të Kishave (1963-1969), Sekretar për Kërkimin Misionar dhe Marrëdhëniet me Kishat Orthodhokse në KBK (Gjenevë 1969-1971). Ka organizuar dhe drejtuar Qendrën për Studimet Misionare në Universitetin e Athinës (1971-1974) dhe Qendrën Ndër-Orthodhokse në Athinë të Kishës Orthodhokse të Greqisë (1971-1974). Si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, ai promovoi programe teologjike, edukuese dhe botuese; në veçanti, zhvilloi sektorin e misioneve jashtë vendit. Në Afrikën Lindore (Kenia, Uganda, Tanzani), organizoi dhe zhvilloi misionet orthodhokse. Ai është vlerësuar si “Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës”.

Afrika Lindore: Kryepiskopi Anastas ka luajtur një rol udhëheqës në ripërtëritjen bashkëkohore të Apostullimit nëpër botë të Kishës Orthodhokse. Për një dhjetëvjeçar 1981-91, ka punuar si lokum tenens (Kryepiskop mëkëmbës) i Kryepiskopatës së Shenjtë të Irinupolit – Afrika Perëndimore (Kenia, Uganda, Tanzani).

Ai themeloi dhe organizoi Shkollën Patriarkale “Kryepiskopi i Qipros Makarios”, që e drejtoi për dhjetë vjet; dorëzoi 62 klerikë afrikanë dhe konsakroi 42 anagnostë-katekistë, me origjinë nga 8 fise afrikane. Në të njëjtën periudhë promovoi përkthimin e Liturgjisë Hyjnore në 4 gjuhë afrikane. U përkujdes për themelimin e rreth 150 famullive orthodhokse dhe për ndërtimin e dhjetëra kishave, për ndërtimin e 7 stacioneve misionare dhe punoi për hapjen e shkollave dhe qendrave mjekësore.

Më 1991, caktohet nga Patriarku Ekumenik Eksark Patriarkal në Shqipëri. Në qershor 1992, ai u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.

Përmes vështirësive të shumta, ringriti nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: riorganizoi më tepër se 400 famulli (enori); themeloi Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës (1992), dy Lice kishtarë (Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit), Shkollën e Muzikës Bizantine në Tiranë, të gjitha këto në godina me kushte bashkëkohore dhe me konvikte; shkolloi dhe dorëzoi 168 klerikë, të gjithë nënshtetas shqiptarë; themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme; u kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë.

U kujdes për ndërtimin e 150 kishave të reja, për restaurimin e 70 kisha-manastire monumente kulture, për rikonstruksionin e më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe për 70 godina për qendra kishtare si: selia e Kryepiskopatës dhe e mitropolive, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritjeje, mensa për të varfërit, kampe rinore etj. Vepra totale ndërtuese arrin në 450 ndërtesa.

Ai ka zhvilluar vepra bamirësie, duke shpërndarë qindra tonë ushqime, veshmbathje dhe ilaçe. Themeloi një gazetë të përmuajshme dhe tri revista, si edhe një stacion radiofonik. U përkujdes për ndërtimin e atelieve të Kishës (shtypshkronjës, fabrikës së qirinjve, zdrukthëtarisë, atelieve të ikonave dhe të restaurimit të tyre).

Në të njëjtën kohë, zhvilloi programe pionier në fushat e edukimit, shëndetësisë, kujdesit social, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë. Themeloi Qendrën Mjekësore Diagnostike me 24 specialitete në Tiranë dhe 3 qendra mjekësore në qytete të tjera; Universitetin “Logos” në Tiranë, 2 Institute të Formimit Profesional, 1 lice profesional, 3 shkolla fillore, 1 gjimnaz, 1 konvikt shkolle për vajza dhe 17 kopshte fëmijësh në qytete të ndryshme. Ai u përkujdes për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, urave, riparimin e shkollave publike etj.

Gjatë periudhës kritike të Kosovës (1999), organizoi një program të gjerë humanitar, që ndihmoi rreth 33.000 refugjatë kosovarë në vende të ndryshme të Shqipërisë.

E lidhi Kishën e Shqipërisë me organizata ndërkombëtare kishtare. Ai është anëtar themelues i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë dhe të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Gjatë tensioneve politike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontribuoi në zbutjen e tyre dhe në afrimin e dy vendeve. Nëpërmjet iniciativave dhe veprës së tij u është ofruar punë mijëra vetëve; u krijuan vepra serioze të strukturës sociale dhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është bërë një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi.

Kontributi i tij në fushën e shkencës, në dëshminë e krishterë bashkëkohore, në përafrimin me konfesionet e tjera të krishtera, në dialogun ndërfetar dhe në bashkekzistencën paqësore midis popujve dhe feve, është i njohur botërisht. Në vitin 2000, pas propozimit të Akademisë Athinës dhe shumë personalitete të Shqipërisë, ishte kandidat për Çmimin Nobel të Paqes. I janë akorduar shumë dekorata dhe çmime nga vende të ndryshme.

Është nderuar Me Kryqin e Shenjtë të Apostullit dhe Ungjillorit Mark të Klasit të Parë, i Patriarkanës së Aleksandrisë (1985); me kryqin e shën Ekaterinës të Malit Sina (1985); me atë të shën Kirilit dhe Metodit të Kishës Orthodhokse të Çekosllovakisë (1986); me Medaljen e Argjendtë të Akademisë së Athinës “si promotor dhe pionier i veprës dhe punës misionare” (1987); me Medaljen e Kryqit të Artë me dafinë e Kryqit të Kuq të Greqisë (1994); me Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës Greke (1997); me Medaljen e Princit të madh Vladimirit (Klasi i Parë) të Kishës Ruse (1998); me Medaljen e Apostull Andreas të Patriarkanës Ekumenike (1999); me Kryqin e Madh të Urdhrit të Kryqtarëve Orthodhoksë të Varrit të Shenjtë (2000); me çmimin “Vepër jete” të Këshillit të Diasporës Greke (2000).

Ai është nderuar gjithashtu: me çmimin “Athenagora” për të drejtat e njeriut 2001 (New York); me “Pro humanitare” të Institutit Evropian Kulturor Pro Europe (Freiburg) (2001); me Kryqin e Madh të Urdhrit të Shën Pavlit të Kishës së Greqisë (2001); me Medaljen e Nderit dhe të Punës për mirëqenien e përgjithshme të qytetit të Athinës (2001); me Çelësin e Artë të qytetit të Selanikut (2002), dhe të Lamisë (2002); “Çmimin Odisea” të Shoqatës Botërore të kefalonianëve dhe itakasve (2002) ; me Çmimin humanitar polak “Ecce Homo” (2003); me Medaljen nga Presidenti i Republikës Rumune (2003); me Medaljen e Artë të Klasit të Parë, të Bashkisë së Pireut (2005); Qytetar Nderi i Tiranës (2005), Korçës (2007) dhe i Durrësit (2016); me Çmimin “për veprimtari të jashtëzakonshme në forcimin e Unitetit të Kombeve të Krishtera Orthodhokse” (Moskë 2006); me Medaljen e Jarosllavit të Urtë të Republikës së Ukrainës (2008); me Medaljen e Madhe të Artë të Apostull Varnavës të Kishës së Qipros (2008); me Kryqin e Madh të Apostull Markut të Patriarkanës së Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës (2009); medaljen “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” të Republikës së Shqipërisë (2010); me medaljen e Qytetarit të Nderit të Kallamatës (2016); me Çmimin “Panajotis Foteas”, për ese politike dhe meditim, për librin “Bashkekzistenca” (2016).

Është autor i dhjetëra librave shkencorë dhe i studimeve e artikujve me përmbajtje teologjike dhe fetarologjike në greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip.



Ju sugjerojmë

Denoncon kandidati i PD-së në Korçë: Po blejnë vota tani natën!
Kryesore

Denoncon kandidati i PD-së në Korçë: Po blejnë vota tani natën!

10 Maj, 2025 10:59 pm
Policia merr ne ruajtje KZAZ-të dhe qendrat e votimit në Elbasan
Aktualitet

Policia merr ne ruajtje KZAZ-të dhe qendrat e votimit në Elbasan

10 Maj, 2025 10:43 pm
Zgjedhjet e 11 Majit, tensione dhe të shtëna me armë në Dibër
Aktualitet

Zgjedhjet e 11 Majit, tensione dhe të shtëna me armë në Dibër

10 Maj, 2025 10:28 pm
“Jeni heronj “, Putin nderon ushtrinë: Ndaluat një luftë civile
Bota

Lufta Rusi-Ukrainë, Kremlini: Do të shqyrtojmë propozimin për armëpushimin 30-ditor

10 Maj, 2025 9:55 pm
Akuzohet për shpërdorim detyre, arrestohet me urdhër të SPAK ish-kryebashkiaku socialist
Aktualitet

Kukës/ Akuzohen për korrupsion në zgjedhje, shpallen në kërkim dy persona

10 Maj, 2025 9:33 pm
Publikohen emrat e kandidatëve në listat e hapura të PD-së
Kryesore

Zgjedhjet e 11 majit, Berisha denoncon: Në Shkozet po shpërndahen zarfe nëpër banesa

10 Maj, 2025 9:16 pm
Zgjedhjet parlamentare/ Prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH “zbarkojnë” në Vlorë
Aktualitet

Zgjedhjet parlamentare/ Prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH “zbarkojnë” në Vlorë

10 Maj, 2025 9:03 pm
Vula e Partisë Demokratike, Apeli: Më 3 mars shqyrtohet çështja
Kryesore

“Giro D’Italia” në Vlorë/ PS kërkoi shtyrje të orarit të votimit, PD kundër

10 Maj, 2025 8:40 pm
Pakistanin mohon akuzat e Indisë: Nuk ka shkelje të armëpushimit!
Bota

Pakistanin mohon akuzat e Indisë: Nuk ka shkelje të armëpushimit!

10 Maj, 2025 8:25 pm
Sfida më e madhe e njerëzimit, sipas Papa Leonit XIV
Bota

Sfida më e madhe e njerëzimit, sipas Papa Leonit XIV

10 Maj, 2025 8:09 pm
Para
Në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për trafik armësh, shqiptari shijonte pushimet në Kolumbi

Në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për trafik armësh, shqiptari shijonte pushimet në Kolumbi

Zjarri te “Komuna e Parisit”, reagon Ministria e Mbrojtjes: Janë djegur 3 automjete, banorët u evakuuan, por ka ende tym

Zjarri te “Komuna e Parisit”, reagon Ministria e Mbrojtjes: Janë djegur 3 automjete, banorët u evakuuan, por ka ende tym

Meksika zemëron Trump, bllokon avionin që transportonte imigrantët e dëbuar nga administrata e re

Meksika zemëron Trump, bllokon avionin që transportonte imigrantët e dëbuar nga administrata e re
















TE FUNDIT

Denoncon kandidati i PD-së në Korçë: Po blejnë vota tani natën!

Denoncon kandidati i PD-së në Korçë: Po blejnë vota tani natën!
10 Maj, 2025

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Korçë, Enton Çaçani ka denoncuars mbrëmjen e sotme se administrata e Bashkisë Kolonjë...

Lexo më shumë

Policia merr ne ruajtje KZAZ-të dhe qendrat e votimit në Elbasan

Policia merr ne ruajtje KZAZ-të dhe qendrat e votimit në Elbasan
10 Maj, 2025

Uniformat blu njoftojnë se kanë marrë përsipër ruajtjen e të gjitha qëndrave të votimit në Elbasan. Në total janë marrë...

Lexo më shumë

Zgjedhjet e 11 Majit, tensione dhe të shtëna me armë në Dibër

Zgjedhjet e 11 Majit, tensione dhe të shtëna me armë në Dibër
10 Maj, 2025

Kur na ndajnë edhe pak orë nga nisja e zgjedhjeve të 11 majit, një tjetër incident është regjistruar në fshatin...

Lexo më shumë

Lufta Rusi-Ukrainë, Kremlini: Do të shqyrtojmë propozimin për armëpushimin 30-ditor

“Jeni heronj “, Putin nderon ushtrinë: Ndaluat një luftë civile
10 Maj, 2025

Moska po shqyrton një propozim për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili i...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com