Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Ndotja/ Nafta e Albpetrol-it kërcënon lumin e fundit të egër në Europë

2018/11/27 at 8:19 PM
në Sociale
Kohë leximi: 9 min
A A
Ndotja/ Nafta e Albpetrol-it kërcënon lumin e fundit të egër në Europë

Derdhjet e naftës bruto nga puset e Albpetrol-it në Vjosë, e cila konsiderohet nga shkencëtarët si një oaz biodiversiteti, është një “krim mjedisor”, që sipas aktivistëve kërcënon florën, faunën, tokat bujqësore dhe ujin e pijshëm të qyteteve në rrjedhën e poshtme të lumit.


Nga Edmond Hoxhaj

Për 270 kilometra nga mali në det, Vjosa rrjedh e lirë dhe e pandikuar në shtratin e saj, i cili gjarpëron nga kanioni duke u zmadhuar në një zall të gjerë në rrjedhën e poshtme ku krijohen gjire dhe ishuj prej zhavorri të bardhë. Gjerësia e lumit në këtë pikë të rrjedhës së saj drejt detit arrin deri në 2 kilometra, duke krijuar një peizazh natyror mbresëlënës.

Megjithatë, ekosistemi i pasur i lumit të fundit të madh dhe të egër në Europë – si shkencëtarët dhe aktivistët mjedisorë pëlqejnë ta përshkruajnë Vjosën, është në rrezik. Rrjedhjet e naftës bruto nga depozitat e dekantimit të kompanisë Albpetrol pranë fshatit Gorisht kanë krijuar një përrua nafte dhe balte, i cili derdhet në lumin Vjosë.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se ky përrua nuk është një rast i izoluar dhe se ndotja nga hidrokatrburet paraqitet kritike në të paktën dy sektorë të menaxhuar nga Albeptrol – atë Gorisht- Kocul si dhe sektorin Cakran-Mollaj.

Sipas aktivistëve, rrjedhja e vazhdueshme e mbetjeve të naftës bruto dhe ujërave industriale nga stacionet e dekantimit të Albpetrolit në Vjosë është krim mjedisor, i cili kërcënon jo vetëm florën dhe faunën e pasur të këtij lumi, por edhe tokat bujqësore dhe burimet ujore në rrjedhën e tij të poshtme.

“Duke qenë se kemi të bëjmë me një ndotje persistente që dëmton ekosistemin, speciet e florës dhe të faunës së rrjedhës së poshtme të Vjosës, kjo ndotje mund të ketë influencuar edhe në sipërfaqet e tokave së vaditura me ujërat me metale të rënda që mund të jenë mbartur,” tha ambientalisti Lavdosh Ferruni. “Mund të ketë ndikim edhe në cilësinë e ujit që përdoret për konsumim për qytetarë,” paralajmëroi ai.

E pyetur nga BIRN, kompania Albpetrol pranoi në një përgjigje me shkrim rrjedhjet e naftës në lumin Vjosë, por nënvizoi që kjo situatë ishte pasojë e ndotjes historike dhe e keqmenaxhimit të fushave të naftës nga kompanitë koncesionare gjatë dekadës së fundit.

“Shkaqet për ndërprerjen e marrëveshjes hidrokarbure për këto dy vendburime ishin të shumta, por mes tyre edhe mosrealizimi i investimeve për ruajtjen e mjedisit, shëndetit dhe sigurimit teknike në punë,” tha një zëdhënës i kompanisë Albpetrol.

“Në momentin kur Albpetrol sh.a ka marrë në dorëzim vendburimet, gjendja mjedisore ishte shumë e rëndë,” shtoi ajo, duke nënvizuar që zgjidhja e situatës kërkon investime dhe kompania është e ndërgjegjshme që “mbetet shumë për të bërë.”

‘Njolla e zezë’ e Vjosës

Lumi i Vjosës rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe derdhet në detin Adriatik. Sipas shkencëtarëve, lugina e Vjosës përbën një habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh që janë shumë të rralla ose janë zhdukur fare nga lumenjtë e tjerë të Evropës.

Në prill 2017, rreth 30 shkencëtarë nga katër vende europiane studiuan për një javë biodiversitetin e luginës së Vjosës, duke regjistruar 300 lloje gjallesash të ndryshme, përfshirë 41 lloje speciesh që janë gjetur për herë të parë në Shqipëri, si dhe një lloj të ri peshku dhe një insekt ujor të panjohur më parë për shkencën.

Megjithatë, shumë prej këtyre gjallesave tashmë kërcënohen të zhduken nga ndotja e hidrokarbureve. Disa kilometra larg nga shtrati i lumit, mbi një kodër pranë fshatit Gorisht të Vlorës, ndodhen vaskat e dekantimit të kompanisë Albpetrol për sektorin Gorisht-Kocul. Kodra ku ndodhet dekantimi nuk është e banuar dhe të vetmit njerëz që mund të gjesh janë disa barinj që kujdesen për bagëtitë e tyre, të cilët duket sikur nuk shqetësohen nga aroma e rëndë e gazit dhe e hidrokarbureve.

Në stacionin e dekantimit, godinat e ndërtuara dekada më parë duken thuajse të braktisura dhe muret e çatitë janë shkatërruar pjesërisht. Në pjesën e poshtme gjendet një gropë e stërmadhe ku depozitohen mbetjet e ujërave teknologjike dhe të naftës. Por, këto mbetje shpërndahen gjithandej duke zënë pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së zonës së rrethuar, për t’u derdhur më pas në një përrua që bashkohet me Vjosën rreth 5 kilometra më poshtë në fshatin Karbunarë.

Përroi mbledh mbetjet e naftës që rrjedhin nga depozitat dhe puset e Albpetrol dhe së bashku me baltën dhe ujin e shiut i derdh ato në lumin Vjosë, ku ka krijuar një njollë të madhe të zezë në një bankinë prej zhavorri të bardhë.

“Këtu ndotja është ekstreme, ka pasur të paktën gjysmë metri thellësi naftë, por pjesën më të madhe e kanë larguar shirat,” tha Besnik Kapaj, një fermer nga fshati Karbunarë i Vlorës, i cili ka ndërtuar një shtëpi pranë vendit ku depozitohen hidrokarburet në brigjet e lumit Vjosë.

“Gjatë muajve të verës, situata është dhe më e dukshme pasi nafta depozitohet këtu dhe ka një aromë më të rëndë, kurse tani filluan shirat dhe gjithë ajo naftë shkon në Vjosë,” shtoi ai.

Kjo njollë e zezë rreth 15 metra e gjerë dhe gati 200 metra e gjatë, e cila mund të shihet edhe përmes pamjeve satelitore nga hapësira, nuk është e vetmja zonë e ndotur nga rrjedhja e hidrokarbureve dhe e gazit- për shkak të infrastrukturës së amortizuara të puseve dhe stacioneve të naftës së Albpetrol.

Një raport monitorimi mjedisor i prodhuar nga një kompani e specializuar për Albpetrolin, një kopje e të cilit është siguruar nga BIRN, nënvizon se ky përrua nafte përbën një kërcënim për banorët e zonës, pasi shumica e gropave të emergjencës në puse nuk janë të betonizuara dhe gjithashtu madhësia e tyre nuk parashikon mbajtjen e sasive të mëdha të fluidit.

“Kjo bën që këto gropa të kenë rrjedhje të pakontrolluar në mjedis, qoftë sipërfaqësore ashtu dhe në shtresat nëntokësore, duke shkaktuar ndotje të tij,”shkruhet në raportin e përpiluar nga nga Qendra e Monitorimit të Mjedisit, QMM.

“Është për t’u theksuar një situatë mjedisore shumë problematike në dekantimin Gorisht, ku ujërat që dalin në dekantim derdhen në lumin Vjosë,” shton raporti.

Raporti evidenton se në Gorisht- Kocul vihen re rrjedhje e hidrokarbureve nga depozitat në gjendje të lirë në tokë. Po kështu, QMM shprehet se ka avari teknike të depozitave apo të sistemit të transportit të ujërave, për të cilat ka kohë që nuk merren masa për riparimin e tyre.

“Këto ujëra janë lënë në gjendje rrjedhje të lirë, duke shkaktuar një ndotje të madhe të tokës, ujërave nëntokësore dhe atyre pritëse,” shkruan QMM.

“Një ekspozim i tillë shkakton një problematike të madhe në jetesën e banorëve të zonës, po kështu dhe të ekosistemit në përgjithësi, duke njohur natyrën akumuluese që kanë ndotësit që emetohen nga kjo industri duke u bërë kështu pjesë e zinxhirit ushqimor,” shton ajo.

Sipas raportit të QMM, përveç zonës së dekantimit në Gorisht, shkarkime gazi në ajër dhe mbetjesh të ngurta janë regjistruar në 7 pikat e monitoruara.

Monitorimi mjedisor i kryer nga QMM për periudhën shkurt-prill 2018, raporton se pranë grupit të puseve 2, 6, 8,9 dhe 17 në seksionin Gorisht-Kocul ka prani shumë të lartë të gazit sulfurik, 2 deri në 8 herë më të lartë se norma e lejuar. Edhe gjatë monitorimit mjedisor të kryer në sektorin Cakran-Mollaj, në pikën e monitorimit Q-59, janë konstatuar nivele tre herë më të larta nga norma e lejuar e gazit sulforik.

Sipas specialistëve, ky nivel i lartë përqendrimi mund të shkaktojë probleme shëndetësore për punonjësit, të cilët janë të ekspozuar për periudha kohore afatgjata.

“Niveli i gazit sulfurik [H2S] është mjaft problematik në pjesën më të madhe të grupeve duke kaluar disa herë normën,” shkruhet në raport.

“Kjo përbën një rrezik të lartë për jetën dhe shëndetin e punonjësve, të cilët janë të ekspozuar për një periudhë afatgjatë kohe ndaj këtyre përqendrimeve të larta të H2S. Gjithashtu, nuk shmanget ndikimi i gazit H2S dhe VOC dhe në popullatën lokale dhe në ekosistemin e zonës,” përfundon ai.

Një raport tjetër monitorimi i QMM për sektorin Cakran-Mollaj ngre këmbana alarmi për një situatë të ngjashme, ku pothuajse në të gjithë grupet ka pasur gropa emergjence për mbledhjen e fluidit në raste rrjedhjesh aksidentale apo shpime të depozitave si pasojë e korrodimit të brendshëm të tyre, por këto vaska kanë qenë jashtë standartit. Vetëm grupi Q 17 ka pasur vaskë betoni dhe prej andej mbetjet dërgohen me sistem pompimi në dekantimin Usojë. Ndërsa të gjithë grupet e tjera të sektorit Cakran-Mollaj ka rezultuar të kenë hapur gropa në mënyrë amatore, të pashtruara me beton dhe pa hidroizolim.

“Duke vlerësuar nga mënyra e ndërtimit të tyre mund të deduktojmë që ujërat që grumbullohen në këto gropa rrjedhin duke ndotur në radhë të parë ujërat nëntokësore, por edhe ato sipërfaqësore”, shkruhet në raport.

Pas interesimit të BIRN lidhur me situatën e ndotjes të shkaktuar nga shkarkimet e hidrokabureve në terren të lirë e më pas në shtratin e lumit Vjosa, dega rajonale e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave e Tokës Vlorë, ISHMPUT, informoi se gjatë viteve të fundit janë kryer disa kontrolle në zonën naftë-nxjerrëse Gorisht-Amonicë-Kocul.

Sipas ISHMPUT, më datë 29 qershor 2015 është inspektuar dhe është marrë masë administrative me gjobë në masën 5 milionë lekë ndaj kompanisë Phoenix Petroleum” për shkarkime të ujërave të ndotur.

Gjithashtu, më datë 11 mars 2017 është inspektuar dhe është marrë masë administrative me gjobë në masën 1 milionë lekë për mosvënie në punë të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në qendrën e dekantimit. Po në vitin 2017, më datë 21 prill, ISHMPUT Vlorë ka kryer inspektim dhe ka marrë masë administrative me gjobë në masën 2 milionë lekë për derdhje të ujërave të përzier me hidrokarbure fshatin Malkeq. Këto gjoba nuk janë ekzekutuar ende dhe janë në shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.

Me datë 29 mars 2018, periudhë që përkon edhe me monitorimin e QMM, ISHMPUT Vlorë ka inspektuar qendrën e dekantimit në Gorisht, dhe u shpreh se vendosja e një impianti për trajtimin e naftës e kishte përmirësuar situatën.

Vendburimet Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj kanë qenë deri në tremujorin e parë të 2017-tës në përdorim nga tre shoqëri koncesionare, në fillim nga “Stream Oil and Gas” (2007-2015); më pas Transatlantic Albania (2015-2016) dhe në periudhën e fundit GBC (2016-2017).

E pyetur nga BIRN, kompania Albpetrol e pranoi ndotjen e shkaktuar nga puset e saj, për të cilën Albpetrol pretendon se është ndotje historike, pasojë e keqmenaxhimit në kohën e komunizmit dhe gjatë dekadës së fundit nga kompanitë koncesionare.

“Në momentin kur Albpetrol sh.a ka marrë në dorëzim vendburimet, gjendja mjedisore ishte shumë e rëndë dhe kërkonte ndërhyrje e investime për rehabilitim dhe mirëmbajtje,” tha kompania e nxjerrjes së naftës.

“Në lidhje me këto vendburime theksojmë se bëhet fjalë për një situatë mjedisore të rënduar, e trashëguar historikisht prej më shumë se 50 vite të aktivitetit hidrokarbur,” shtoi ajo.

Lumi në rrezik

Shfrytëzimi i fushave të naftës në jug të Shqipërisë që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar nuk ka qenë pa pasoja për mjedisin dhe banorët vendas. Një investigim i BIRN i publikuar në tetor 2017, pasqyroi pasojat shëndetësore që ka shkatuar për banorët e zonës së Patos Marinzës – fusha më e mbadhë naftëmbajtëse në Shqipëri, industria hidrokarbure.

Sipas ekspertëve dhe aktivistëve, derdhja e hidrokarbureve në lumin Vjosë mund ta zgjerojë hartën e zonave të ndotura nga industria e naftës dhe përbën një rrezik për habitatin e tij.

“Kur kemi të bëjmë me lumenjtë dhe konkretisht me lumin Vjosa, që e konsiderojmë si nga më të rëndësishmit në Ballkan e më gjerë për shkak të biodiversitetit që gjendet aty, konsiderojmë se duhet trajtuar në një mënyrë të veçantë,” shprehet Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore “Eco Albania”.

“Ndotja industriale ka një ndikim jashtëzakonisht negativ në faunën e këtij lumi dhe prek gjithë zinxhirin ushqimor, duke pasur parasysh edhe faktin se ka peshkatarë që sigurojnë jetesën duke peshkuar në ujërat e lumit Vjosa,” shtoi ai.

Për rëndësinë e lumit Vjosë bie dakord dhe Lavdosh Ferruni, duke nënvizuar se kjo luginë duhet të ishte një park i mbrojtur natyror dhe jo zonë e ndotur nga hidokarburet.

“Në këndvështrimin e shumë institucioneve shkencore, por edhe të shoqërisë civile vendase dhe ndërkombëtare, shpresojmë edhe të politikës, perspektiva e luginës së Vjosës është për zhvillimin e një parku natyral të mbrojtur, që mund të krijojë një produkt shumë të rëndësishëm turistik”,- tha Ferruni.

“Për këtë arsye, industria e naftës mund të ekzistojë vetëm nëse respektohen standardet më të mira evropiane për menaxhimin e tyre. Çdo shmangie nga këto standarde nuk është gjë tjetër veçse një krim mjedisor”,- shtoi ai.

Nika, i cili prej vitesh drejton një fushatë për mbrojtjen e Vjosës nga digat, bën thirrje për reagim nga institucionet për ndotjen e shkaktuar nga hidrokarburet.

“Në këtë rast flagrant, Inspektoriati i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave duhej të kishte vepruar me kohë”,- tha ai. “Kjo ndotje e dëmton seriozisht lumin e fundit të egër të Evropës”,- përfundoi Nika./BIRN/

Etiketa: Europëkercenon lumin e egernafta e albetrolitndotja


Ju sugjerojmë

“Shtëpia me Gjethe” mbi 15 mijë vizitorë në Janar-Prill
Kryesore

“Shtëpia me Gjethe” mbi 15 mijë vizitorë në Janar-Prill

10 Maj, 2025 11:36 am
Fermerët e Beratit i kthehen bujqësisë organike/ Prodhimi i frutave, për eksport
Sociale

Fermerët e Beratit i kthehen bujqësisë organike/ Prodhimi i frutave, për eksport

7 Maj, 2025 10:41 am
Barazia gjinore, paratë dhe politika në Ballkan
Sociale

Barazia gjinore, paratë dhe politika në Ballkan

5 Maj, 2025 8:43 am
“Të ka skaduar patenta?”/ Si mund ta rinovojnë emigrantët, dokumentet që paraqiten
Kryesore

“Të ka skaduar patenta?”/ Si mund ta rinovojnë emigrantët, dokumentet që paraqiten

2 Maj, 2025 10:24 am
Male “pa kufij”: Shebeniku dhe Jabllanica
Sociale

Male “pa kufij”: Shebeniku dhe Jabllanica

2 Maj, 2025 9:16 am
Nafta në bujqësi, lehtësohen procedurat. Fermerët paraqesin më pak dokumente
Kryesore

Nafta në bujqësi, lehtësohen procedurat. Fermerët paraqesin më pak dokumente

30 Prill, 2025 1:40 pm
39 vite pas shpërthimit në Çernobil/ Fizikanti: Në Shqipëri janë gjetur gjurmë…
Sociale

39 vite pas shpërthimit në Çernobil/ Fizikanti: Në Shqipëri janë gjetur gjurmë…

30 Prill, 2025 11:13 am
Paga minimale në 2025-ën u rrit në të gjithë Rajonin, përveç Shqipërisë
Kryesore

Paga minimale në 2025-ën u rrit në të gjithë Rajonin, përveç Shqipërisë

29 Prill, 2025 8:26 am
“Në Altar”shfaqja teatrale për shëndetin mendor/Gjonçi:Rrëfehet përpëlitja njerëzore
Kryesore

“Në Altar”shfaqja teatrale për shëndetin mendor/Gjonçi:Rrëfehet përpëlitja njerëzore

28 Prill, 2025 10:10 am
Ligji për ndalimin e duhanit në ambjente të mbyllura mbetet në letër
Sociale

Ligji për ndalimin e duhanit në ambjente të mbyllura mbetet në letër

26 Prill, 2025 5:25 pm
Para
Video e rrallë/ Ariu hyn në zyrat e patrullimit

Video e rrallë/ Ariu hyn në zyrat e patrullimit

Komisioni i Ekonomisë miraton buxhetin nën për nen

Komisioni i Ekonomisë miraton buxhetin nën për nen

Këngëtarja shqiptare tregon detaje nga propozimi për fejesë në Spanjë

Këngëtarja shqiptare tregon detaje nga propozimi për fejesë në Spanjë
















TE FUNDIT

Shqipëria në Eurovizion, kënga “Zjerm” kualifikohet për natën finale

Shqipëria në Eurovizion, kënga “Zjerm” kualifikohet për natën finale
13 Maj, 2025

Shqipëria është kualifikuar në natën finale të "Eurovision 2025". “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” u kualifikua mes 10 shteteve fituese...

Lexo më shumë

Diaspora në zgjedhje/ Fevziu merr mesazh live nga hasjani: Si u vodh vota në Londër

Diaspora në zgjedhje/ Fevziu merr mesazh live nga hasjani: Si u vodh vota në Londër
13 Maj, 2025

Në transmetim live të emisionit “Opinion”, moderatori Blendi Fevziu mori një mesazh në telefon nga një shqiptar, i cili jetonte...

Lexo më shumë

Urimet për fitore nga Zelensky dhe Starmer, Rama falenderon homologët

Urimet për fitore nga Zelensky dhe Starmer, Rama falenderon homologët
13 Maj, 2025

Fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare, ka sjellë urime të shumta nga liderët evropianë për kryeministrin Rama. Përmes reagimeve...

Lexo më shumë

Vota e diasporës, Bozdo në ‘Opinion’: U kap dhe postieri i lagjes!

Vota e diasporës, Bozdo në ‘Opinion’: U kap dhe postieri i lagjes!
13 Maj, 2025

Vota e diasporës dhe rezultati i saj i deritanishëm, ka sjellë ‘revoltë’ nga ana e Partisë Demokratike. Demokrati Eno Bpzdo...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com