FIFA ka dënuar Shqipërinë me një gjobë prej 100 mijë frangash zvicerane për incidentet e shkaktuara në ndeshjen me Italinë.
Mendohej se do të kishte një dënim më të rëndë pas ngjarjeve që shkaktuan ndërprerjen e takimit në Palermo.
Por FIFA ka vendosur që Shqipëria të dënohet vetëm me gjobë, duke shmangur kësisoj dënimin e fushës apo zhvillimin e ndeshjeve jashtë pa praninë e tifozëve.
Në listën e vendimeve të FIFA-s shkruhet se gjoba prej 100 mijë frangash zvicerane dhe paralajmërimi për Shqipërinë është dhënë për sjelljen e papërshtatshme të spektatorëve (ndezjen e fishekzjarrëve).
Shqipëria ka shpëtuar vetëm me një gjobë, ndonëse e majme, për faktin se nuk ishte vetë organizatore e ndeshjes dhe përgjegjësinë për kontrollin e tifozëve dhe moslejimin e fishekzjarrëve brenda stadiumit e kishte Federata pritëse.
Për këtë arsye, edhe Federata Italiane është dënuar me një gjobë prej 15 mijë frangash pasi klasifikohet shkelje lejimi i ndezjes së fishekzjarrëve nga tifozët, ndonëse ata ishin shqiptarë.