IKMT dhe Policia e Shtetit kanë nisur aksioni kombëtar për lirimin e plazheve nga ndërtimet pa leje. Ky aksion ka nisur nga plazhi i Lukovës, ku janë konstatuar ndërtime të paligjshme.
Personat përgjegjës do të procedohen penalisht dhe e gjithë zona do të pastrohet plotësisht nga çdo formë ndërhyrje e paligjshme.
Kryeinspektori i IKMT-së Ervin Hoxha, që ndoqi nga afër ndërhyrjen, tha se ky territor është zaptuar dhe nuk ka nevojë për të marrë masa e rekomandime, por ky plazh do të kthehet në gjendjen e mëparshme.
“IKMT do vijojë në përmbushje të detyrave të saj, bashkë me Policinë e Shtetit aksionin në bregdet me qëllim pastrimin e menjëhershëm të plazheve të zaptuara. Aksioni do të shtrihet deri në vijën fundore bregdetare, me ndëshkime e penalitete për personat dhe subjektet që zaptojnë plazhet”, deklaroi Hoxha.
Në Lukovë do të shembet çdo objekt pa leje, e më pas aksioni do shtrihet në gjithë vijën bregdetare në vend.