Testamenti është një amanet ligjor që pasqyron dëshirën e dikujt për ndarjen e pasurisë së tij pasi të largohet nga jeta. Në rubrikën “Ligji i rrugës” në programin “Rudina” në Tv Klan, avokatja Margarita Kola thekson se testamenti është një dokument fuqiplotë që prevalon mbi ndarjen ligjore të trashëgimisë sepse është vetë personi që shpreh dëshirën e tij.
Një pikë e rëndësishme dhe e veçantë ku ajo ndalet janë kufizimet e testamentit. Shqipëria është një nga vendet e pakta në botë që zbaton rezervën ligjore testamentare. Kjo pjesë e ligjit parashikon mbrojtje për mirëqenien e personave të cenueshëm që lidhen me personin që lë testamentin.
Margarita Kola: Në Shqipëri, nuk mund ta shprehësh vullnetin e plotë, ke disa kufizime. Për shembull, në qoftë se gjatë kohës së lënies së testamentit, përjashton nga testamenti bashkëshorten/in të cilat janë mbi 65 vjet, të paaftë më për punë dhe kanë një sëmundje ose nuk janë bërë të padenjë për të trashëguar me testament, nuk mund t’i përjashtosh sepse ligji ka vendosur, kështu e ka menduar legjislatori, të mbrojë shtresat në nevojë.Pra kushdo që lë një testament dhe në momentin e lënies së testamentit e ka gruan më tëë madhe ose burrin më të madh se 65 vjeç, pra nuk e ka në atë kohën që mendohet i aftë për punë, tani është 67 vjeç dhe e përjashton këtë për aq kohë sa ai nuk është bërë i padenjë për të trashëguar me testament, bashkëshorti/ja e godasin testamentin në gjykatë dhe fitojnë një pjesë nga testamenti edhe kur i ka përjashtuar.
Testamenti prevalon në raport me trahëgiminë ligjore, çka interpretohet se mund t’i lihet kujtdo që ke dëshirë duke shmangur linjën testamentare, por jo rezervën e lartpërmendur.
Margarita Kola: Ka ndryshuar ligji, dikur ka qenë që nuk mund ta shmangësh një linjë tesamentare, pra nëse ti kishe një fëmijë, nuk mund ta shmangie fëmijën dhe t’ia lije dikujt tjetër që mund të ishte kushëriri jot. Ka qenë dikur, tani ka rreth 20 vjet që është në mënyrë të tillë, ka ndryshuar ligji, e shmang dhe ia jep kujt tëduash, dëshira testamentare. Mund t’ia lësh edhe shtetit, edhe një njeriu që nuk ke fare lidhje familjare, një personi që është përkujdesur për ty. Pra, me përjashtim të rezervës ligjore është zgjeruar rrethi i atyre që mund t’u lësh testament.
Rezerva parashikon mbrojtje edhe për të miturit të cilët nuk përjashtohen dot nga testamenti.
Margarita Kola: Nuk mund të shmangësh me testament një të mitur, kur e ke nip e mbesë që në kohën kur ke bërë testamentin ai ka qenë i mitur, nipi dhe mbesa. Shpesh bëhet pyetja dhe kërkohet të ndyshohet kjo mënyrë testamentare, por deri tani e kemi kështu. Pra gjyshi dhe gjyshja, nëse i lënë testament një kushëriri të tyre apo një X personi, mundet që nipi dhe mbesa të kërkojë rezervën ligjore nëse kanë qenë të mitur kur është bërë testamenti dhe marrin një pjesë, pra marrin atë pjesë të personit që i është lënë dhe personi tjetër vazhdon me testament./tvklan.al