Reforma Territoriale është një nga pikat më të rëndësishme për të cilën palët politike do të përfshihen në diskutime nëpërmjet një Komisioni të Posaçëm.
Socialisti Arbjan Mazniku, i cili do të jetë dhe bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm, tha në emisionin “Opinion” se sot një pjesë e madhe e bashkive të vogla kanë vështirësi për të ushtruar funksionet që kanë për detyrë. Sipas tij, nuk është e mundur që të mbahen 61 administrata funksionale në mënyrë që të ushtrojnë të gjitha detyrat e tyre.
“Vullneti politik është i gjeneruar nga një eksperiencë e gjatë administrativ dhe qeverisës. Gjëja që kemi kuptuar është që një pjesë e madhe e bashkive të vogla sot kanë vështirësi të mirëfillta për t’i ushtruar funksionet që kanë. Unë hyj padyshim te grupi i njerëzve që besoj se ne nuk i mbajmë dot 61 administrata funksionale për të ofruar të gjitha shërbimet që ka bashkia. Pra për të gjitha detyrat që i janë dhënë bashkisë, mirëmbajtja e menaxhimi i ujit, menaxhimi i mbetjeve, menaxhimi i territorit, pastrimi”, tha Mazniku.
 
	    	 
		    
















