Është ndarë nga jeta në një moshë shumë të re kompozitori i njohur shqiptar Andi Bajraktari. Lajmin për vdekjen e tij e ka publikuar akademiku dhe kompozitori i njohur Vasil S. Tole.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Tole shkruan se Andi ishte një student ekselent, kompozitor me vlera, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort e prind i dashur.
Ai shton gjithashtu se Andi ishte duke hedhur i sigurt hapat në fazën e thelluar të formimit të tij si kompozitor dhe intelektual i muzikës dhe sapo do të niste studimet e doktoraturës në muzikë.
“U pre në mes jeta e një njeriu dhe artisti kompozitor me shpirt të madh.
Andi Bajraktari ishte dhe do të kujtohet si personifikim i çdo gjëje të mirë që mund të ketë njeriu: student ekselent, kompozitor me vlera, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort e prind i dashur!
Andi po hidhte i sigurt hapat në fazën e thelluar të formimit të tij si kompozitor dhe intelektual i muzikës. Vepra të reja po shkruante dhe ishte në prag të pranimit për studimet e doktoraturës në muzikë. Ai reflektonte mirësi për gjithshka që e rrethonte.
Na trishtove të gjithëve i dashur Andi me largimin tënd të parakohshēm!
Ngushēllimet më të thella për bashkëshorten dhe fëmijët, motrën dhe familjarët si dhe për komunitetin e muziktarëve në Durrës, Tiranë e në gjithë Shqipërinë!
I paharruar miku dhe kolegu ynë Andi Bajraktari!”, shkruan Tole në postimin e tij.