Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare këngëtari i njohur i këngës popullore qytetare, Shyqyri Alushi. Artisti i Merituar ishte shtruar prej rreth dy javësh në spitalin e Shkodrës në gjendje të rënduar, ndërsa familjarët i bënë apel për ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë, pasi nuk kishin mundësi t’ia siguronin medikamentet e nevojshme.
“Jam përballur me vështirësinë e blerjes së ilaçeve. Deri te shiringat, serumin nuk munda t’ia blej se bënte shtrenjtë, është serum ushqyes”, tha ato ditë djali i tij, i cili nuk e fshehu edhe zhgënjimin e trajtimit qesharak që i bëhet artistëve. “Me tituj, me grada, me mrekullira, asgjë nuk hyn në punë…”
Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran. Më 1984 iu dha titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare u nderua me “Çmimi i Karrierës”. Me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i dha titullin “Krenaria e Qytetit”. Gjatë gjithë jetës së tij artistike ka marrë edhe shumë çmime dhe dekorata të tjera. Në Shkodër të gjithë i thërrisnin “mjeshtri i ahengut shkodran”./Opinion.al