Nazime Visha tenton sërish të përfitojë nga amnistia. E dënuara për vrasje i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për amnistimin e kohës së mbetur të dënimit të dhënë ndaj saj. Kërkesa penale është regjistruar në Gjykatë në datën 4 shkurt 2016, dhe pritet të merret në shqyrtim nga gjyqtari Sokol Tona. Kjo nuk është hera e parë që Nazime Visha kërkon amnisti. Edhe më herët, në vitin që shkoi, e dënuara për vrasje kërkoi amnistinë në Gjykatë.
Pasi padia e Nazimes u shqyrtua nga Gjykata për disa muaj, ajo u tërhoq për arsye të mungesës së motivacionit dhe të bazës ligjore. Edhe në shtator të vitit 2015, e dënuara paraqiti kërkesë për “amnisti”, ndërsa padia e saj u shqyrtua nga gjyqtari Sokol Tona.
Pasi vuri në lëvizje Gjykatën me kërkesën e saj, Nazime Visha dhe avokati mbrojtës nuk u paraqitën në proces, duke sjellë pushimin e shqyrtimit gjyqësor. Nazime Visha tentoi të përfitonte lirinë dy muaj pas dënimit me 10 vjet burg në Apel.