Nga Vladimir Karaj
Kjo është historia e Nazimes. Po kush është Nazimja? Një hiç gjë, një askush. Ajo për ne familja e nazime visha beqir zall bastar (52)është njësoj si farat e pjekura të lulediellit që njerëzit hanë në stadium. Kur u nisëm të shkruanim këtë histori ajo ishte ende heroina, “sepse njerëzit në këtë vend (Shqipëri) kanë nevojë (e duan) dikë që vret përdhunuesin (përdhunuesit)”, thotë drejtori i “Mapos”, ndërsa kur po e mbyllim, ajo është një histori nga ato që konsumohen rrugëve me të njëjtën vëmendje sikur farat e lulediellit buzë bulevardit kryesor të Elbasanit, por vinire, gjithashtu me të njëjtin vështrim sikur ai që ngrënësit e farave u hedhin këmbëve të vajzave dhe grave që kalojnë aty pari.
…Në Vilëz Mal
…. “Beqir Visha dora vetë”, thotë dhe na zgjat dorën poshtë mëngëve të një xhaketë të madhe për trupin e tij, burri i thatë, me faqe të ngjitura pas nofullave. Duke na drejtuar me dorën tjetër, që duket se mbin prej mëngës së xhaketës bashkë me një cigare shtrënguar fort mes gishtash, aty për aty na fton drejt shtëpisë pak metra më tutje. “Bujrum, bujrum”, thotë ai dhe na drejton të ulemi në një divan në ballkonin e kullës dykatëshe, ku sipër jetojnë njerëzit dhe poshtë është hauri i lopëve. Në dy minuta, ai ka nxjerrë nga oda e miqve kolltukët e vjetra për të na rehatuar sa më mirë dhe me të njëjtin dell mikpritës, pasi i ka dërguar dy herë pa sukses një fëmijë që ta lajmërojë, zbret edhe vetë deri në rrugën ku kemi ndaluar makinën dhe tërheq “me zor” në shtëpi edhe shoferin që na priste atje. E shoqja “gatuan” në një xhezve të madhe 5 kafe. Për ne, për të zotin e shtëpisë dhe një tjetër fqinj që rastësisht u ndodh në të njëjtin moment që ne mbërritëm, duke tërhequr bashkë me të birin një dele që ishte caktuar të therej për festë të Bajramit. Pak pas kafes në tavolinë vihen po aq gota me një raki të butë kumbulle. Beqir Visha nuk ka nevojë të dijë se përse kemi shkruar. “Tani jam i lehtësuar”, thotë ndërsa gjerb kafen. Përsërit nja tre katër herë se e bija Nazimja i ka “zbardhur faqen”. “E ka kryer atë punë, e ka vrarë dhe ka tregu’ se nuk kishte shkuar vetë me të atëherë kur e rrëmbeu”, thotë ai.
Shtëpia e mbuluar gjysmë me rrasa e gjysmë me tjegulla na bën hije, ndërsa përtej saj ka zheg e dheu ndizet prej diellit. Prej këtu ne shohim tymin e zjarrit që djeg faqen tjetër të malit të Priskës atë që nuk duket nga Tirana, por që i bën karshillëk Vilëz Malit, aty ku Tirana ndahet me Ketën e Burrelit dhe ku e vetmja punë frytdhënëse dhe që sjell ndonjë pare, veç emigrimit, janë drutë.
Mu si për të konfirmuar këtë histori, zhurma e një makine të madhe ndërpret bisedën. “Është e filanit”, thotë me siguri Beqiri, ndërsa bisedon me bashkëfshatarin e tij. Beqiri thotë se e njohu nga zhurma e motorit makinën që zbriti në të tatëpjetën përballë shtëpisë së tij dhe ndaloi pak metra më poshtë. Dy burra të lyer këmbë e kokë me graso zbritën prej IFA-s së ngarkuar me trupa dhe bujtën në oborrin e shtëpisë ku ne po pinim kafe. Kishin pasur probleme me makinën, u ishte dashur ta rregullonin në mal; tani ulen në tavolinë e marrin edhe ata nga një kafe të zierë në të njëjtën xhezve të madhe. Në një moment duket sikur kulla gjysmë e shembur e Vishajve në majë të Vilëzës, është si han ku të huajt ndalojnë për t’u çlodhur. Në këtë mënyrë ka hyrë në këtë shtëpi 9 vjet më parë Fiqiri Muça, njeriu që mbeti i vrarë nga plumbat e 18-vjeçares Nazime Visha të cilën e njohu brenda këtyre mureve kur ishte vetëm një fëmijë i klasës së tretë. “ E ka gjet f’mi gocën. Ai vinte dhe lozte me të e merrte në dorë dhe e hidhte sipër në tavan”, kujton Mejte Visha, nëna e Nazimes, ndërsa fshin lotët me shpinën e dorës me të cilën mban pirunin që përdor për të kthyer specat në tigan. I biri, Adhurimi, fshihet pas fustanit të saj dhe na sheh me habi duke shënuar në mendje pamjen tonë në listën e të huajve që ka parë këto ditë. “Njê, kaq ishte goca”, thotë Mejtja duke na treguar me dorë kokën bionde të djalit që fshihet sa të mundet pas fustanit të saj me gjithë tentativën për ta afruar.
….“Miq” dhe hasëm
Beqiri thotë se kurrë nuk i kishte shkuar mendja që miku i tij mund ta bënte atë që bëri. Ai thotë se bashkë kishin qenë shumë afër. “E kam fut’ në shpi’ e kam majt’ me bukë, i kam dal zot kur e kërkonin borxhlinjtë. Se kam dit’ se po ma shpërblen ashtu, po ta dia…”, ai mendohet pak dhe pastaj shpërthen në një lumë kërcënimesh, madje përshkruan edhe mënyrën se si ai do ta kishte vrarë. Burri megjithatë është i kënaqur (s’le rast pa e thënë) që gjërat morën këtë rrugë. (Merakun e të bijës që do të bëjë burg dhe shqetësimin për këtë ai e tregoi vetëm në fund të bisedës, me gjysmë zëri si një dobësi që donte ta fshihte mirë). Historia, thotë ai, kishte filluar në maj të këtij viti, kur Fiqiriu i rrëmbeu vajzën për flokësh nga oborri dhe e mbajti në mal. Pikërisht ai Fiqiriu me të cilin Beqiri kishte ndarë bukën, kishte bërë krushqi e kishte shkuar deri aty sa për pak kishin ndarë edhe vdekjen bashkë siç kujton 45-vjeçari një aksident prej të cilit thotë se vetëm një mrekulli i shpëtoi të dy. “Ai hynte e dilte në këtë shtëpi. Ka ardhur këtu me nusen dhe fëmijët”, kujton Visha dhe lëshon një gjysmë rënkim e kërcënim bashkë: “Se po ta dija unë…”. Tani historia e miqësisë është harruar. Familjet që jetojnë jo më larg se 30 minuta nga njëra tjetra, në kufirin mes Tiranës dhe Burrelit janë në hasmëri. Beqiri thotë se Muçajt i kanë edhe “dy gjaqe borxh”; në krahun tjetër familja e Fiqiri Muçës kërcënon se do të hakmerret për jetën e 45-vjeçarit duke u mbajtur fort pas versionit se ajo që ai kishte me të akuzuarën për vrasje ishte një histori dashuria, madje duke fajësuar për këtë 18-vjeçaren si joshësen dhe njëkohësisht nxitësen e kësaj historie. Në anën tjetër, familjet që janë ndarë kaq keq dhe që kërcënohen për më shumë gjak, së largëti janë të lidhura në mënyrë të pandashme. Motra e Nazimes, Lutfija është gruaja e vëllait të viktimës, e nga ana tjetër një djalë i saj e një tjetër foshnje që pritet të vijë në jetë janë lidhja e gjakut që familjet nuk janë në gjendje ta shkëpusin. Megjithatë Lutfija e mohoi të motrën. E bëri lanet. E trembur ndoshta apo sepse ashtu e mendon vërtet, ajo ia vuri fajin për gjithçka Nazimes.
…Intermexo
“Po beut s’iu bë vonë; ay ish mësuar me gjëra të këtilla: qengjet blegërijnë kur u vë thikën kasapi, çupat qajnë kur i merr beu në dyshek”, shkruan Kuteli. Kur ndodhte kjo që beu, mashkulli, burri e rrëmbenin një femër dhe e kthenin në pronë? Në maj kur Nazimeja u kthye prej “rrëmbimit”, ajo kishte pikërisht fatin e femrave të përdhunuara prej beut, pa faj e njëkohësisht e pandershme. E gjallë e njëkohësisht pa asnjë mundësi për të jetuar. Fejesa u shua. Ajo duhej të gënjente që i fejuari me të cilin kishte ndenjur vetëm pak orë, të besonte se ato 11 ditët në mal nuk kishte pasur asgjë mes saj dhe Fiqiriut. Natyrisht do ta kishte të vështirë të gënjente gjatë. Burri që “e donte”, d.m.th. “pronari” i saj i parë nuk kishte ndërmend të hiqte dorë dhe kishte marrë edhe masat që t’i jepte fund fejesës së saj me Sajmirin emigrant, që pak gjëra dinte për të fejuarën e tij të cilën e merrte ngase ishte sigurt se nuk ishte prekur kurrë më parë nga një mashkull dhe se mu në momentin e parë që mësoi se kjo s’qe e vërtetë vendosi t’i priste të gjitha kontaktet. Pak rëndësi kishte për të nëse ishte rrëmbyer, nëse ishte përdhunuar apo nëse ishte rrahur, vlera e saj kishte rënë si një rrobe e vjetër, prej bashkëshortes së mundshme e të denjë, në një të padenjë. Dasma ishte lënë pas Bajramit. Mejtja nëna e Nazimes thotë që në gusht, këtë gushtin që iku, e bija do të kishte veshur një fustan të bardhë e vello dhe do të ishte bërë nuse do të kishte një familje, do të ishte e denjë.
… Aty ku filloi
Bëhet vapë e madhe dhe Beqiri na shtyn të ulemi brenda. Dy dhomat e katit të dytë të kullës që ai ndan me lopët janë gjysmë të rrënuara. Tavanet janë gati të bien, madje njëri, ai i dhomës që shërben edhe si kuzhinë edhe si dhomë gjumi, është shkallmuar. Këtu i ka rritur Beqiri të 6 fëmijët e tij, dy ende të mitur dhe këtu pret e përcjell, duke mos i mbyllur dyert kurrë, miqtë dhe druvarët që ndodh të mbesin rrugëve. Këtu ka pritur ai edhe Fiqiri Muçën. Ndërsa ulemi në një divan të vjetër e të bërë gropë, hamendësojmë se burri që tani nuk jeton më është ulur kush e di sa herë përballë të njëjtit oxhak që ka në ballë një foto të gjyshit të Beqirit. Këtu janë ngrohur dhe kanë pirë bashkë raki dhe këtu, në të njëjtën dysheme druri të shtruar me tapete të vjetra dhe të pista, ai i ka njohur fëmijën, viktimën, dashnoren me shumë gjasa, e në fund vrasësen e tij. Ka vetëm një version për atë se si ka filluar e gjithë kjo histori që i mori jetën Fiqiri Muçës, ai që tregon Nazimja. “Një ditë kur isha vetëm më kërkoi kafe dhe unë ia shërbeva. Më erdhi nga pas në kuzhinë, më ka kapur me forcë nga flokët dhe më pas më ka zhveshur dhe më ka përdhunuar forcërisht. Kjo ka qenë dhe marrëdhënia ime e parë seksuale. Pas këtij veprimi që ka zgjatur dhjetë minuta, Fiqiriu më ka kërcënuar se do të më vriste me një pistoletë që ma drejtoi dhe më tha se do më vriste dhe familjen time nëse tregoja atë që ndodhi. Më pas u largua dhe unë jam munduar që të kaloj në gjendje normale për të mos më diktuar familja. Nuk i kam treguar askujt se kisha frikë nga ai person”, shkruhet në raportin e marrjes në pyetje të 18-vjeçares publikuar në ‘Panorama’ disa ditë pas vrasjes. A ka ndodhur pikërisht kështu?! Kjo në fakt sot ka pak rëndësi. Kjo do të kishte rëndësi nëse policia, në maj të këtij viti, do të kishte rendur seriozisht pas historisë së rrëmbimit të vajzës dhe ndoshta do të kishte ndaluar Muçën, duke i shpëtuar jetën, për dhunim të përsëritur të një të miture. Tani i vetmi gjykim që mund të bëhet do të jetë me patjetër spekulativ. Nisur prej këtij rrëfimi e prej mesazheve të zbuluara në celularin e regjistruar në emrin e Nazime Vishës, mund të themi se mes tyre ka pasur një histori intime të mpleksur njëkohësisht me shumë gjëra të tjera dhe gjasat që kjo histori të ketë filluar me një dhunim nuk janë të pakta. Por edhe nëse ajo nuk do të ketë nisur me një përdhunim, me atë tërheqjen prej flokësh, Fiqiri Muça do ishte boll fajtor para ligjit (para shoqërisë po se po), që e përcakton se një 14-vjeçare nuk mund të japë konsensus për të pasur marrëdhënie me një të rritur. Krimi, edhe në rast se Nazimja 14-vjeçare ka pranuar vetë të shkojë në shtrat me atëherë 41-vjeçarin, dënohet deri në 15 vjet sipas nenit të njëqindtë të kodit penal.
100 dhe 101
Por gjasat që neni i njëqindtë dhe ai njëqindenjëtë të njihet në policinë e Burreli duket se janë të vogla. Ndoshta për këtë e ndoshta më shumë sepse ashtu si për Xheladin Beun e Shemshedin Beut të shkruar vite më parë nga Mitrush Kuteli, për policin e zonës Hasan, Osman, apo kushdo qoftë ai, femra nuk ka të drejtë të kundërshtojë edhe në kundërshtoftë e bën jo se nuk do. “Goca s’ka çi do paret”, kujton Nazimja fjalët e inspektorit në një dëshmi të sajën. Në fakt ky nuk është rasti i parë që edhe pas denoncimeve të vajzave të dhunuara apo të kërcënuara, policia zgjedh të mbyll një sy të pranojë edhe dëshmi të marra nën presion se kanë shkuar me dëshirë dhe të vulosë dosjet që më pas hapen prej ndonjë rrjedhe të ngjashme gjaku. Në vitin 2006 një grua u ekzekutua nga tutori edhe pse kishte denoncuar në polici se ai e kërcënonte me jetë, kallëzim që u harrua aty për aty nga inspektori i zonës dhe që solli më pas vrasjen e saj në zonë të thellë, për rastësi, sërish në Burrel. Vrasja e Valentina Barmetës, solli atëherë një hetim të SHKB-së, por rezultatet e tij nuk u bënë publike ashtu siç nuk u mor vesh fati i inspektorit që mbylli një sy, ashtu siç ka shumë gjasa të bëhet edhe në këtë histori të dytë, ku një hetim i atillë ezaurues që mund të çonte para drejtësisë më shumë se vetëm autoren e një vrasje, zor se do të merret përsipër. Çështja është që në këtë mënyrë nuk mendon vetëm Xheladini i Shemshedinit dhe as vetëm inspektorët e zonës, kështu mendonte Fiqiriu dhe kështu mendon (edhe pse i vjen zor ta thotë tani që vajza “lau veten”) Beqiri. Para se e bija të kthehej në vrasëse, ai se kishte pranuar në shtëpi. “Ajo”, kujton ai, pasi u gjet, “pas rrëmbimit ishte kthyer në një gjysmë njeriu, ishte tharë dhe dukej sikur kishte muaj pa ngrënë”. E megjithatë i vënë përpara deklaratës se ajo kishte shkuar me dëshirë me 45-vjeçarin, babain e 6 fëmijëve e zuri turpi, u tremb prej fjalëve që do thuheshin në fshat, “nderi” që duhej të ruante ishte më i madh se dhembshuria për të bijën. Beqir Visha e braktisi vajzën në komisariat. Ajo ndoshta do të ishte detyruar mu në atë moment të hidhej në krahët e Fiqiriut sërish, të mos ishte gjyshja që e mori “në dorëzim” e “firmosi” për 18-vjeçaren. Ditë pa ngrënë dhe dy tentativa vetëvrasje pasuan prej majit në gusht. Por Beqiri thotë se nuk kishte pasur kohë të fliste me të bijën dhe gjithë këto e mjaft fakte mbi atë që kishte ndodhur në mal i kishte mësuar nga gjyshja e vajzës dhe e ëma. Ai e “fali” (për ç’faj s’dihet) atë vetëm kur mori vesh hakmarrjen e saj ndaj dhunuesit, dashnorit e tutorit në tentativë.
Ai e fali atë mu në atë moment kur ajo vendosi që të zgjidhte mes vetëvrasjes dhe vrasjes, sepse asaj s’i ishte lënë rrugë tjetër, ashtu siç thotë në ato dhjetëra mesazhe që dolën prej një telefoni të harruar të të ndjerit, e ku herë premton dashuri dhe herë tjetër me të njëjtën gjuhë plot gabime, betohet në Zot se do të vrasë a vetëvritet.
… E marrë peng
“… Nazime, a ti je a…,Hallal ta boft Zoti… Mos e vrit mendjen hiç”. Ne ishim dëshmitarë krejtësisht rastësor të kësaj bisede (dëgjonim vetëm zërin e babait më këtë anë të telefonit), të parën herë që Nazime Visha nga burgu merrte në telefon të atin, me të cilin nuk kishte folur që pas ikjes apo rrëmbimit. Telefoni kalon dorë më dorë, deri te Adhurimi, Dhuri siç i thërrasin, e ndërsa djali i vogël, i fundit që e ka parë atë në këtë shtëpi mezi arrin të merret vesh më të motrën historia kthehet dhe njëherë te “rrëmbimi” apo ikja. “Po shtronte fier për lopët, kur ai ka ardh e ka kap për flokësh e ka fut në fuoristradë, e ka lidh me rrip dhe ka ik me shpejtësi duke mos ndaluar fare sikur të kishte një urgjencë”, kujton Beqiri. Ai vetë sjell në mend se është kryqëzuar diku me makinën e “mikut”, por ky ka ikur pa ndaluar për askënd. Rrëmbimi apo ikja ka qenë, me sa duket, e planifikuar mirë. Fiqiri Muça i kishte takuar Nazimen, të ëmën dhe ish-vjehrrën e 18-vjeçares në Tiranë dhe kishte dalë vullnetarë për t’i sjellë ata deri në Vilëz Mal. Si ka lënë gratë në shtëpia ai ka shkuar të pijë një kafe aty pranë dhe pas disa orësh, kur nëna dhe ish-vjehrra e Nazimes ishin larguar për në shtëpinë e një komshiu, është kthyer dhe ka marrë vajzën në makinë duke u zhdukur në mal për 11 ditë. Tentativa e tij për të kaluar kufirin bashkë me të ka dështuar në momentin që familja ka kërkuar me ngul kthimin e vajzës.
Kallëzimi, presioni ndaj shtëpisë së tij dhe fakti që siç tregon Nazimja fotoja e saj u shfaq në emisionin “Njerëz të Humbur” duke detyruar me shumë gjasa tutorin në Kosovë të tërhiqej nga dëshira për ta blerë, bënë që çifti pas disa ditësh në mal të zbriste në Burrel dhe të dorëzohej në polici. Vishajt thonë se policia e Burrelit e fshehu rrëmbimin pas një deklarate që ja morën Nazimes duke i bërë presion, dhe në këtë pjesë zbulohet diçka që të shtyn të dyshosh se gjërat kanë rrjedhur pak më ndryshe ngase vajza i ka thënë familjes. Pretendimi i saj se u rrëmbye në oborr me forcë, duket se nuk qëndron përballë sasisë së parave që ajo kishte marrë me vete, plot 1 milion të vjetra që ish-i fejuari ja kishte dhënë të bënte pajë dhe blinte rroba, dhe më herët mesazheve që kishte shkëmbyer me Fiqiriun, ku thoshte se e donte. A i kishte ajo këto para me vete ndërsa merrej me punë të bujqësisë?!
Mejtja që e çel gojën vetëm kur e pyesin, përgjigjet thuajse duke pëshpëritur, që se ka parë më të bijën që prej asaj dite maji kur ajo iku apo u rrëmbye me Fiqiri Muçën, që prej asaj dite ajo as ka folur dhe as ka kontaktuar as me vajzën tjetër të martuar te Muçajt. Gruaja që duket në pamje të parë shumë më e fortë se i shoqi, përlotet disa herë ndërsa sjell në mend vajzat. Ashtu si Beqiri edhe ajo thotë se vajza është marrë bashkë me paratë, të cilat sipas gjasave ndërruan dorë në komisariatin e policisë aty ku polici i zonës i tha Fiqiriut se paratë mund t’i merrte ai e se vajzës nuk kishin çfarë i duheshin.
…Një nga ato (të abuzuarat)
A ishte rrëmbyer Nazimja, apo ishte larguar me dëshirë?! Në fakt sms-të e publikuara dhe që u shpërndanë si sëmundje virale në ueb, e kthyen për një moment Nazimen nga një viktimë përdhunimi në një nga “ato”… Analfabetizmi dhe padija në mesazhe mund të ngjallnin mëshirë dhe tallje, por përmbajtja e tyre dukej sikur nuk linte asnjëlloj dyshimi se ajo fshihte mjaft prej të vërtetës së historisë së saj 4-vjeçare me Fiqiri Muçën. E nëse mesazhet janë të vërteta për të justifikuar besimin e disave se vajza nuk ishte aq e pafajshme, atëherë ato janë të vërteta edhe për të vërtetuar në fakt krejt të kundërtën. Abuzimi seksual me të mitur, femra apo meshkuj, madje edhe kur nuk është i “dhunshëm”, nuk përfshin grushta e shqelma, i shndërron këta njerëz njëherë e përgjithmonë. Psikologët thonë se ndër shenjat kryesore të këtij abuzimi janë sjelljet e çoroditura seksuale, marrja e fajit mbi veten dhe nënshtrimi pa kushte ndaj abuzuesit apo sindroma e famshme e Stokholmit. Në fund të një liste të gjatë sindromash të fëmijëve të abuzuar, qoftë kjo edhe duke i joshur me para apo të mira materiale, është ajo e krimit. Fëmijët e abuzuar janë hajdutë, vrasës, gënjeshtarë dhe po e gjithë kjo është për faj të abuzimit.
…Në Vilëz Mal
“Dasma ishte lënë pas Bajramit”, thotë Mejtja. Gruaja kishte shpresa deri para pak kohësh ta përcillte të bijën me vello nga shtëpia në malin që ndan Tiranën me Burrelin, por tani e kupton që ka pak mundësi ta shohë shpejt të ndodhë diçka e tillë. Gruaja që i përgjigjet të shoqit vetëm duke i përmbushur urdhrat, e pa nxjerr qoftë edhe njëherë zë, thuajse nuk ndaloi për asnjë moment sa ishim në shtëpi, e ndjekur hap pas hapi nga i biri Adhurimi që herë i mbahet pas fustanit e herë rend pas të ëmës, po aq i heshtur sa ajo. Beqir Visha ndërkohë vendos të vijë me ne deri në Vilëz, një fshat që ndodhet pak më poshtë ku e lëmë të takojmë një ish mësues të Nazimes. Prej takimit nuk mësojmë asgjë të re, veç ca thashetheme e histori për burra me tre apo me dy gra, gjë që nuk shihet si shumë jonormale në këtë anë të Shqipërisë.
Beqiri që na ka përcjellë deri në atë moment, e që megjithë të nxehtit se ka hequr për asnjë moment prej trupi xhaketën e vjetër shumë të madhe për të, ndahet me ne, por duket sikur është pishman për diçka që s’na e ka thënë e ndërkohë mendjen e ka të vajza në Ketë, ajo që ka dhënë të Muçajt me të cilën nuk po mundet të lidhet dhe as të mësojë tjetër gjë përveç se është gjallë. “Nuk e besoj se i bëjnë gjë”, më shumë për të siguruar veten, ndërsa na përcjell me një shtrëngim dore. Teposhtë është sërish rruga copë-copë me gurë të bardhë, e rrahur veç prej fuoristradash e makinash ngarkuar me trupa që merren, një pjesë vidhen, në pyjet mes Tiranës dhe Burrelit.
….Nazimja, 18-vjeçarja që vrau Fiqiri Muçën mëngjesin e një dite gushti do duhej, për dreq nuk e ka, të kishte një emër më modern. Do kishte qenë kështu më e vlefshme, më e përgojuar. Ndoshta nuk do të dëgjonim aq shpesh: “U bë edhe Nazimja”…, shprehje që më shumë lidhet me emrin e “prapambetur” të saj (si mundet ky emër të shkruajë sms, aq më shumë erotike) se sa me njeriun pas këtij emri (viktimën e një historie që përtypet kafeneve si farat e pjekura në stadium).