Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri.
Në një intervistë të publikuar në gazetën zvicerane, Tages-Anzeiger, Stoltenberg ka thënë se këmbësoria e NATO-s për të shoqëruar koalicionin ndërkombëtar, që kryen sulme ajrore në Siri, “nuk është në agjendë”.
“Shtetet e Bashkuara kanë një numër të kufizuar të forcave speicale, por forcimi i forcave lokale është opsioni i vetëm”, ka thënë Stoltenberg.
Ai po ashtu ka thënë se NATO do të ndihmojë në përmirësimin e mbrojtjes ajrore të Turqisë.
Më 24 nëntor, forcat turke kanë rrëzuar një avion ushtarak rus, duke thënë se ai ka shkelur hapësirën e tyre ajrore.
Rusia është duke kryer sulme ajrore në Siri kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Presidneti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se strategjia e tij për të luftuar Shtetin Islamik nuk përfshin trupa tokësore në Siri dhe Irak.
Por, Pentagoni ka njoftuar për vendosjen e njësiteve të vogla të forcave speciale atje.