SPAK ka dënuar me dy vjet heqje lirie, pas regjistrimit të veprës penale të korrupsionit, një oficer të Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Dibër.
“Shtetasi Sh.C dyshohet se i ka marrë 3 mijë euro shtetasit F.K për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij, (konkretisht procedimi penal nr. 9/2020 i Prokurorisë Dibër)”, thuhej në njoftimin zyrtar nga ana e SPAK.
Ndërkohë për një tjetër oficer i Policisë Gjyqësore është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. “Shtetasi nën hetim A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka pëmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore”, shkruhej më tej në njoftim.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin nr. 178 të vitit 2022 për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, “Shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 244, 259, 319 dhe 319/ç, të Kodit Penal.
Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera deri tani rezulton se:
Shtetasi nën hetim Sh.C., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Dibër i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit nën hetim F.K., shumën prej 3000 mijë euro për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij, [konkretisht procedimi penal nr. 9/2020 i Prokurorisë Dibër].
Shtetasi nën hetim A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka pëmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore (psh; duke qenë në dijeni të komunikimeve me përmbajtje korruptive, ai nuk ka kryer në kohën e duhur ndonjë veprim për referimin e tyre në prokurorinë përkatëse, por ka vepruar pothuaj dy vite më vonë, vetëm kur viktima e veprës penale e shprehu këtë fakt në Gjykatë, pasi është njohur me aktet, nuk i ka referuar komunikime me interes dhe nuk është kryer identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse komunikimet e bëni të qartë këtë fakt)
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 156 datë 27.12.2024, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest me burg” ndaj shtetasit nën hetim Sh.C., i biri i Miftarit dhe i Zyrakes, i datëlindjes 28.03.1960, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim A.P., i biri i Kadriut dhe i Vjollcës, i datëlindjes 11.05.1980, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim F.K., i biri i Qazimit dhe i Sadetes, i datëlindjes 21.02.1962, lindur në Dibër, fshati Staravec dhe banues në Tiranë në adresën: Rruga “Selaudin Zorba”, banesë private, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë ”, parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal. (kjo masë ende nuk është ekzekutuar).
Masat e tjera janë ekzekutuar më 28.12.2024, nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilën, gjejmë rastin ta falenderojmë për bashkëpunimin”,-thuhet në njoftimin e SPAK.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.