Sektori i bletarisë shqiptare po bën hapa të shpejtë drejt modernizimit dhe integrimit me tregjet evropiane.
I ftuar në emisionin “Pro Business” në Tv Klan, Ali Lilo shefi i Sektorit të Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, theksoi rritjen e këtij sektori, subvencionet dhe sfidat që ballafaqohen me bletarët.
Sipas Lilos, Shqipëria ka aktualisht 16 mijë bletarë të regjistruar në sistemin elektronik të ministrisë, me një total prej 587 mijë kosheresh.
“Krahasuar me 2022-2023, numri i koshereve u rrit me 8%, ndërsa në 2024 rritja është 13.5%”,tha Lilo.
Ministria e Bujqësisë po subvencionon aktivisht bletarët me 1,000 lekë për koshere, një politikë që ka mbuluar 75% të familjeve të bletëve në vitin 2024.
“Nga 460 mijë koshere të subvencionuara këtë vit, 100% e aplikantëve të përzgjedhur kanë marrë fondet”, shtoi Lilo.
Edhe pse eksportet aktuale (23 tonë) drejtohen në vende jo-EU, Shqipëria është në fazën përfundimtare për të hyrë në tregjet evropiane.
“Kemi kërkuar një listim në BE dhe presim auditime të hollësishme. Kontrollet e rrepta për pesticide dhe bashkëpunimi me laboratore referencë të BE-së janë hapat kryesorë për të kaluar këtë prag”, tha Ali Lilo.
Me ligjin e ri të miratuar në maj 2024, Shqipëria po harmonizon standardet me ato të BE-së. Ndryshimet klimatike po godasin rëndë, veçanërisht dimri i ashpër i 2024-ës, i cili ka shkaktuar vonesa në aktivitetin e bletëve.
Si ta njihni mjaltin origjinal?
“Mjalti i pastër ka lagështi maksimale 15%, aromë specifike, dhe nuk përmban shtesa”,kujtoi Lilo.“Konsumatorët duhet të kërkojnë etiketa të autorizuara nga AKU dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e mjaltit pa dokumentacion.”
Synimi i ardhshëm: BE si treg prioritet.
“Me rezultatet e monitorimit të 2024, besoj se do të jemi gati për BE shumë shpejt. Një eksport i suksesshëm në BE do të hapë porte të reja ekonomike, duke e bërë Shqipërinë një konkurrent serioz në tregun ndërkombëtar të mjaltit organik”, përfundoi Lilo./tvklan.al