Pas vendimit të gjykatës për kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë të kryetarit të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, ka reaguar Ministria e Jashtme greke.
Në reagimin e saj ministria e shtetit fqinj thotë se vendimi i gjykatës që pengon Belerin marrjen e detyrës si kryebashkiak i Himarës tregon qëllimin real të arrestimit të tij.
“Refuzimi i sotëm i kërkesës së Belerit për lirim nga burgu, dhe për të marrë detyrën si kryetar i ri i Bashkisë Himarë, pengon drejtpërdrejt betimin e tij dhe shkakton reflektim të thellë për qëllimet reale të ndjekjes së tij. Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe pret respektimin e prezumimit të pafajësisë, element themelor i shtetit ligjor nga shteti fqinj”, thuhet në deklaratën e Misnitrisë së Jashtme greke.
Fredi Beleri fitoi në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 14 maj, për Bashkinë e Himarës.