Arritje historike e Shqipërisë në minifutboll. Kombëtarja kuqezi siguroi pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2023 që do të zhvillohet në Essen të Gjermanisë.
Festa nisi pas triumfit 4-1 përballë Qipros, në ndeshjen e fundit të EuroCup. Ishullorët shënuan të parët, por djemtë kuqezi arritën të përmbysnin rezultatin në pjesën e dytë me golat e Armand Gapit dhe Xhulio Reçit.
Shqipëria shkëlqeu në fazën e grupeve, teksa eliminoi edhe përfaqësuesen e një vendi të madh si Spanja. Zhgënjimi në Europianin e minifutbollit erdhi pas humbjes 4-1 në gjysmëfinale nga Gjeorgjia. Megjithatë, skuadra arriti të mblidhte forcat dhe të shkëlqente në sforcon e fundit.
Suksesi përballë Qipros i siguroi kuqezinjve vendin e tretë në turne dhe biletën e fundit për në Botërorin 2023, që do të zhvillohet në muajin qershor. Një tjetër gëzim për Shqipërinë ishte fakti se rrjeta e Gledi Nuzës kundër Spanjës u shpall “Goli më i bukur” i turneut.