Ajo që në fillim u tha se ishte një aksident i ardhur për shkak të gjendjes së alkoolizuar të drejtuesit të mjetit, në fakt ka qenë një pakujdesi e këtij të fundit, për shkak të handikapit të tij fizik. Pashk Vokrri, që aksidentoi sot për vdekje dy shtetas dhe plagosi pesë të tjerë në Pazarin e Milotit, gabimisht në vend të frenave ka shtypur këmbën e gazit duke i dalë makina jashtë kontrollit. Invalid, ai nuk ka mund ta mbajë makinën në kontroll duke shkaktuar vdekjen e shtetasve Llesh dhe Dilja Marku, përkatësisht burrë e grua si edhe plagosjen e 5 të tjerëve, Ngjarja ndodhi në orët e paradites, në pikun e popullimit të pazarit të Milotit, ku çdo të dielë vendasit mblidhen për të tregtuar gjënë e gjallë. Drejtuesi i mjetit lëvizte pa patentë çka mund ta rrisë edhe më shumë përgjegjësinë e tij penale në këtë aksident të tmerrshëm.