Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të qenë dëshmitar, nëse thirret nga prokurorët në çështjen hetimore të ish-shefit të tij Donald Trump.
I pyetur nga CBS nëse ai do të bëhej dëshmitar kundër Trumpit, nëse rasti shkon në gjykim, Pence tha se nuk ka “plane” për të dëshmuar, por nuk e hodhi poshtë mundësinë për ta bërë këtë.
“Por, njerëzit mund të kenë besim se ne do t’i bindemi ligjit, ne do t’i përgjigjemi thirrjes së ligjit, nëse vjen ajo, dhe ne thjesht do ta themi të vërtetën”, tha Pence, i cili po garon kundër Trumpit në garën për kandidatin e republikanëve për president.
Pence u bë figurë qendrore në aktakuzën e fundit kriminale që u ngrit ndaj Trumpit më 1 gusht nga Departamenti i Drejtësisë, e cila e ngarkon ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara (SHBA) me akuza për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.