Sot veriu dhe verilindja e vendit janë gdhirë të zbardhura nga bora. Disa zona të thella malore janë të izoluara në Dibër, Pukë, Kukës, Tropojë dhe Malësinë e Madhe, ndërsa rrugët nacionale janë të kalueshme me zinxhirë, përfshirë Rrugën e Kombit. Por metereologët thonë se ky është vetëm fillimi: Ditën e enjte (nesër) reshjet e borës do të bien edhe në zonat e ulta (100-200m mbi nivelin e detit). Reshjet e borës do të jenë prezent edhe në Tiranë mbrëmjen e së enjtes, thanë metereologët.
Reshjet do të ndërpriten në orët e para të ditës së premte, por temperaturat do të njohin vetëm rënie, ku në Tiranë pritet të shkojnë në -8 gradë celsius.
Fundjava do të shënojë ditë më të ftohta, si pasojë e të ftohtit polar, me temperatura deri në -20 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdet deri në -10 gradë.