Ligji i ri që çoi parlamenti për shembjen e Teatrit, nuk e ka marrë sërish firmën e Presidentit Ilir Meta. “Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 – Arsyet e kthimit të ligjit”, thuhet ne faqen zyrtare te Presidences.
Më poshtë dekreti i plote
Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,
D e k r e t o j
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””.
Arsyet e kthimit të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018
1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
2. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
3. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018) bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
4. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
5. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
7. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 (dt.05.07.2018) “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Në përfundim të shqyrtimit të këtyre dispozitave të reja rezulton se, Kuvendi i Shqipërisë me ligjin e ri nr. 37/2018, datë 20.09.2018, nuk ka trajtuar dhe vlerësuar 8 (tetë) nga 9 (nëntë) arsyet dhe konstatimet e Presidentit të Republikës. Në thelb ky ligj i ri nuk ka arritur të zgjidhë asnjë prej çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara nga Presidenti në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.
Praktika e shqyrtimit parlamentar të këtij ligji të ri, evidenton faktin se Kuvendi nuk ka kryer ndonjë studim, shqyrtim apo vlerësim krahasues dhe të thelluar midis, dispozitave të reja ligjore që po shqyrtonte për miratim, me arsyet e dekretit të Presidentit nr. 10849, datë 27.7.2018, që tashmë po vetë Kuvendi kishte votuar për pranimin e tij.
Në këtë mënyrë rezulton se, veprimtaria e Kuvendit, është e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij.
Kuvendi ka votuar sërish një projekt të ri ligjor, të pajustifikuar dhe që në realitet nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij.
Kuvendi, me miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës, ka pranuar të gjitha arsyet që e shoqërojnë atë. Në këto kushte, do të duhej që Kuvendi ta rishqyrtonte në themel çdo çështje në mënyrë që, të gjitha konstatimet e Presidentit të gjenin zgjidhje kushtetuese, në funksion të interesit publik.
Vendimmarrja e Kuvendit, ka shmangur shqyrtimin e 8 (tetë) prej çështjeve të ngritura në dekretin e Presidentit, me qëllim miratimin e një norme të re ligjore, e cila në thelb paraqet të njëjtat problematika kushtetuese si ligji i mëparshëm.
2. Së dyti, edhe ligji i ri nr.37/2018, datë 20.09.2018, sërish nuk garanton zbatimin e parimeve të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.
Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e kanë zgjidhur situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm.
Kuvendi në ligjin e miratuar në 5 korrik 2018 kishte përcaktuar një trajtim preferencial të kompaninë private “Fusha” sh.p.k, ku kërkesa për shprehje interesi, e paraqitur nga kjo kompani, ishte vlerësuar “a priori” si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.
Pikërisht shkelja e parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve, ishte një nga arsyet, por jo e vetmja, që Presidenti i Republikës, me dekretin nr.10 849, datë 27.07.2018, vendosi ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend.
Kuvendi me ligjin e ri të paraqitur për shpallje është përpjekur të përcaktojë se për realizimin e këtij projekti, do të kemi tashmë një garë të hapur ku do të mund të përzgjidhet personi fizik apo juridik, me të cilin shteti do të negociojë për nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi. Konkretisht në nenin 3, pika 4, 5, 11 të ligjit parashikohet: “4.“Palë private” është çdo subjekt privat që paraqet një propozim për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
5.“Palë private e përzgjedhur” është pala private, propozimi i së cilës ka rezultuar në përputhje me kërkesat e këtij ligji, më i favorshmi në raport të interesit publik, si dhe është klasifikuar e para nga komisioni. 11.“Thirrje e hapur” është ftesa e hartuar nga komisioni për palët private që janë të interesuara për të paraqitur një propozim për realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
Në pamje të parë, duket sikur tashmë do të kemi një procedurë konkurrimi të lirë dhe që respekton kërkesat kushtetuese për veprimtari të lirë ekonomike dhe trajtim të barabartë, por nëse shqyrtojmë dispozitat e mëtejshme ku përcaktohen kërkesat, mjetet dhe kriteret sesi kjo garë realizohet, arrijmë në konkluzionin logjik se sërish edhe kjo normë ligjore paraqet elementë që cenojnë drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm.
Konkretisht në pikën 3, të nenit 6, të ligjit parashikohet se: “3. Me marrjen e propozimeve, komisioni verifikon paraprakisht statusin e të gjitha pronave mbi të cilat do të zhvillohet projekti, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 3, të këtij ligji. Komisioni verifikon dhe marrëveshjet e arritura dhe të nënshkruara me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit.”
Pikërisht ky parashikim, përcakton se çdo palë private që dëshiron të marrë pjesë në konkurrim duhet që propozimin e tij për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duhet ta shoqërojë dhe me marrëveshjet që duhet të ketë arritur, me pronarët e pasurive private që ndodhen në zonën objekt zhvillimi dhe që përfshihen në këtë projekt. Pra në thelb vendosja e këtij parashikimi ligjor përbën një kusht parakualifikues për të marrë pjesë në garë, duke e bërë kështu një proces selektiv konkurrimi. Për këtë është me rëndësi të evidentohet se:
Është fakt që, Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe më pas të qeverisë, u investua me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e propozimit dhe miratimin e ligjit nr. 37, datë 05.07.2018, duke përzgjedhur me ligj bashkëpunimin me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e pasurive prone private në këtë zonë.
Gjithashtu është fakt i bërë publik, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” sh.p.k. ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa.
Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, shpk, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurimi në kushte aspak të barabarta.
Kjo sepse ligji i ri në fakt parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit, ku një prej tyre rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar për të bashkëpunuar me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar.
Kuvendi nuk ka parashikuar asnjë zgjidhje për rolin garantues të shtetit në kushtet kur të drejtat e pronësisë private të një, apo disa pronarëve mund të diktojnë pjesëmarrjen në konkurim.
Konkretisht nuk është parashikuar në ligj, zgjidhja e një situate ku një palë private paraqet një propozim, shumë herë më të lartë për nga interesi ekonomik për shtetin dhe interesin publik, por nuk ka mundur të realizojë plotësisht apo pjesërisht marrëveshje bashkëpunimi me pronarët privatë të pasurive të paluajtshme që ndodhen në këtë zonë objekt zhvillimi.
Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore me kriteret e vendosura dhe me paqartësinë e saj, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kritereve të tilla vlerësuese të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurim, duke bërë të mundur kështu që në praktikë të ekzistojë trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces.