Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar për gazetarët pas përfundimit të takimit me degën partisë në Fier se vendimet e drejtësisë ndaj Fredi Belerit dhe Sali Berishës janë goditje politike të urdhëruara nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Metës, Rama ka për qëllim izolimin e liderit të opozitës dhe përçarjen e opozitës.
“Pak ditë më parë u mor një vendim tepër absurd siç ka qenë gjithë procesi kundër Belerit. Sa i takon Berishës është një çështje tërësisht politike e cila synon izolimin e tij me shpresën për të diktuar dinamikën brenda kampit opozitar dhe për të nxitur përçarje. Ne ia dhamë përgjigjen më 20 shkurt”,- tha Meta
Ndërsa për sa i përket votës së emigrantëve , Meta është shprehur se Partia e Lirisë do të bëjë të gjitha përpjekjet për të mundësuar këtë të drejtë të mohuar të emigrantëve.
“Pl është e vendosur për votimin e emigrantëve. Do bëjmë çdo përpjekje që ata ta kenë këtë mundësi që ata ta japin votën e tyre”,-tha Meta.