Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët e Shqipërisë që shërbejnë në vende të ndryshme të botës.
Pasi u uroi atyre punë të mbarë dhe mirënjohje për kontributet që kanë në politikat e jashtme të Shqipërisë, Meta foli edhe për reformën në drejtësi.
Ai nguli këmbë se reforma në drejtësi do të miratohet, por vetëm me konsensus. “Ne do të bëjmë çdo gjë që kjo reformë të miratohet dhe të miratohet me konsensus.
Do të japim një imazh pozitiv të vendit tonë, duke forcuar ambicien për të bërë shtet ligjor dhe të përmirësojmë klimën e biznesit”, tha Meta.
“Miratimi i reformës do të bëhet pas dakordësimit me disa çështje. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona për ta kryer këtë reformë”, tha Meta.
Ai pati edhe një falënderim të veçantë për Komisionin e Jashtëm Parlamentar për punën që ka bërë me ambasadorët e Shqipërisë.