Mohammed Emwazi, i njohur ndryshe si xhihadisti Xhon, i cili u vra nga një sulm ajror me dron, e kishte paralajmëruar vëllanë e tij që të mos ndiqte hapat e tij, para se të nisej për në Siri.
Emwazi i tha vëllait të tij më të vogël Omar, 22 vjeç, se takimet e tij me shërbimet britanike të sigurisë i kishin shkatërruar jetën në Britani dhe u kishin dhënë fund planeve të tij për martesë dhe për të punuar në vendin e tij, Kuvajt.
Në një intervistë, vitin e fundit para vdekjes së vëllait të tij në nëntor, Omar përshkroi fjalët që Emwazi i kishte thënë, teksa ishte nën mbikëqyrje nga MI5 dhe Scotland Yard mes viteve 2009 dhe 2012.
Omar kujton: “Ai nuk ishte tipi i një djali që ankohej, por ai më thoshte gjithmonë: Mos u bëj si unë. Mëso nga gabimet e të tjerëve. Shiko ku jam unë. Nuk mund të martohem dhe nuk mund të kem një punë të përshtatshme. Unë nuk mund të udhëtoj dhe nuk mund të shkoj askund”.