Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu mori pjesë në seancë plenare të kësaj të enjte në Kuvend.
Gjatë fjalës së tij ai foli për diskutimin për Reformën Zgjedhore dhe Listat e Hapura, ku tha se duhet të rikthehet kushtetutshmëria.
Sakaq ai theksoi se duhet zbatuar marrëveshjen më OSBE, që të kthehet mundësia e kthimit të koalicioneve parazgjedhore, ndërsa shtoi që të mos qahet sot për vendimin e 2008.
“Baza e këtij vendi, demokracisë është vota e lirë. Dhunimi që i bëhet votës së lirë ka bërë që të ketë deformim të qëllimeve tona politike. Çfarë pengon për të bërë reformën zgjedhore? Duke u bazuar në marrëveshjen që u dakordësua me OSBE e para të rikthejmë mundësinë e koalicioneve parazgjedhore. E dyta që është e domosdoshme është të kthemë kushtetutshmërinë. E treta, të mos qajmë sot për 2008-ën. Të mos flasim sot për Listat e Hapura por ta kishim bërë më parë. Ajo që është e rëndësishme që kush vjedh zgjedhjet duhet të përgjigjet si deputet apo si parti politike? Nuk mund të ecim me marrëdhënia të njëanshme, duhet marrëdhënie opozitë-pozitë”,-tha Mediu.