Kryeministri Rama ka vizituar në ditën e Krishtlindjes një familje me 6 anëtarë në Gjorm të Laçit të cilët i kanë gjetur festat e fundvitit nën çadër pasi banesa iu është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Rama i dha kryefamiljarit lajmin e mirë se shtëpia e tij është mes 500 apartamenteve që do të ndërtohen nga shteti turk dhe i prezantoi projektin e 500 shtëpive të cilat siç ai tha, do e bëjnë Laçin një qytet model.
Por si në çdo takim të kryeministrit me banorët e goditur nga tërmeti, nuk kanë munguar batutat në respekt të figurës së tij. Pas urimit “marrsh nga ditët tona” që kryeministri mori para disa javëve në një nga vizitat e tij, kryefamiljari i familjes e cilësoi ardhjen e tij si ‘telebingo’.
Rama: U goditët keq.
Kryefamiljari: Na goditi
Rama: Sa më pëlqen që i shërben grave
Kryefamiljari: Sa të jesh ti, se kur të ikësh ti
Kryefamiljari: Në daç, ma bëni shtëpinë, në daç jo, mua më ka rënë telebingo se më ka ardhur kryeministri në shtëpi, se shtëpinë ma ka prish Zoti, jo ti. Mua më kanë respektuar këta të bashkisë, nuk ia humb kot. /Opinion.al