Një çift bashkëshortësh dhe një vajzë janë arrestuar nga policia, pasi mashtruan një biznesmen në Himarë duke i kërkuar një shumë parash.
Këta persona, përmes një numri telefoni të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, i shkruajtën në aplikacionin “Signal” administratorit të një subjekti tregtar në Himarë duke i kërkuar 8 mijë Euro.
Rasti i mashtrimit u zbulua nga policia, të cilët arrestuan të dyshuarit dhe sekuestruan 1 makinë dhe 4 celularë.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Notification”, për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë kontaktuar administratorin e subjektit tregtar nëpërmjet një numri telefoni të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, duke rritur kështu besueshmërinë e kërkesave të tyre për të përfituar shumën prej 8 000 euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.