Janë mbyllur hetimet dhe ka nisur komunikimi i akuzave për të pandehurit nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndërkohë sot SPAK duhej t’i komunikonte mbylljen e hetimeve ish-presidentit Ilir Meta, por avokati i tij, Kujtim Cakrani ka kërkuar shtyrje deri të hënën pasi është me pushime.
Prandaj mbyllja e hetimeve pritet t’i komunikohet Metës të hënën e 4 gushtit. Po sot akuzat i komunikohen ish-bashkëshortes së Metës, Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatmira Kryemadhi.
Një ditë më parë, SPAK i komunikoi mbylljen e hetimeve Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos.
Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të shkuar, pasi akuzohet nga SPAK se ka konsumuar elementë të veprave penale: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje e pasurisë”.