Këshilli Bashkiak i Tiranës ka zhvilluar mesditën e sotme mbledhjen online, për shkak të protestës së thirrur nga opozita përpara bashkisë.
Pavarësisht tensioneve jashtë bashkisë, në përfundim të mbledhjes janë miratuar disa vendime të rëndësishme, si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre.
Gjithashtu, anëtarët socialistë miratuan me shumicë votash dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Këshilli Bashkiak miratoi edhe emërtimin e një rruge në Tiranë me emrin e Remzi Hoxhës dhe emërtimin e një rruge tjetër me emrin e Tomor Malasit, ish-deputet i PD dhe ish kryetar bashkie i Tiranës në vitet 1991-’92.
Po ashtu, u miratua shpërblimi financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore.