Leonora Karaj është një e moshuar e cila ka punuar 40 vjet në shkollën “Qemal Stafa”. Kur mbushi moshën e pensionit konstatoi se i mungonin 2 vjet nga kontributet e sigurimeve shoqërore të pahedhura.
Këto para duhet të ishin derdhur nga Drejtoria Arsimore dhe Leonora ka mësuar se nuk është e vetmja me këtë problem.
“Tani dola në pension nuk jam kënaqur me atë pagë që më kanë dhënë. Edhe te Drejtoria Arsimore më kanë thënë që nuk je ti, janë shumë si puna jote që nuk janë hedhur sigurimet. Nuk e di, kemi vajtur tek ajo e Financës, ajo thotë që i kemi hedhur, por po përpunohet. Punëdhënësi im ka qenë Drejtoria Arsimore. Kam punuar 36 vite në “Qemal Stafa”. Si vite punë më thonë që ke 38, 38 e gjysmë, unë kam marrë 40 vite. Masa e pensionit është 208 mijë”, tha zonja.
Mungesa e këtyre kontributeve, e penalizon zonjën Karaj për llogaritjen e shumës së pensionit.
“Të dalë një çikë më shumë se i thonë gjithë ato vite pune në punë shteti”, tha ajo.
Institucioni punëdhënës bën deklarimet në tatime, që pasqyrohen dhe në sigurime.
Por punonjësi i ish-Drejtorisë Arsimore ka hedhur gabim të dhënat e pagës, duke iu referuar listëpagesës dhe deklaratave. Tatimet i kanë bllokuar këto deklarata dhe penalitetin e ka qytetari./ Tv Klan