Shpenzimet e qeverisë shqiptare nga janari në qershor shënuan afro 333 miliardë lekë apo rreth 3.33 miliardë euro, duke u rritur me 42 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pasqyrojnë një ndarje të qartë në sektorët socialë, ekonomikë dhe institucionalë.
Pjesën më të madhe e zënë shpenzimet për mbrojtjen sociale, me mbi 226 miliardë lekë, të cilat përfshijnë pensionet, ndihmën ekonomike dhe transfertat sociale.
Në vend të dytë renditet arsimi, me mbi 76 miliardë lekë, duke konfirmuar fokusin në rritjen e investimit për kapitalin njerëzor.
Ndërkohë, shëndetësia përfshin rreth 69 miliardë lekë, duke reflektuar mbështetjen ndaj sistemit shëndetësor dhe shërbimeve spitalore. Pas saj vijnë çështjet ekonomike, me afro 89 miliardë lekë, dhe rendin e sigurinë publike, me mbi 48 miliardë lekë.
Shpenzime të rëndësishme regjistrohen edhe për strehimin dhe shërbimet e komunitetit, me mbi 46 miliardë lekë, si dhe për mbrojtjen e mjedisit, që kapin gati 8 miliardë lekë.
Ndërkohë, kultura dhe çështjet fetare kanë një financim më modest, rreth 12 miliardë lekë.
Shpenzimet publike reflektojnë përpjekjen e qeverisë për të mbështetur qytetarët, ndërsa sfida e balancimit mes mbështetjes sociale dhe zhvillimit ekonomik mbetet e pranishme./tvklan