Ka dështuar sërish mbledhja e Komisionit Hetimor për PPP në Shëndetësi, pasi anëtarët e mazhorancës nuk janë paraqitur në këtë mbledhje të radhës.
Në pamundësi të plotësimit të kuorumit, kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi e mbylli mbledhjen duke paralajmëruar një konferencë për gazetarët.
Vokshi u shpreh se kishin pritur rreth 30 minuta në sallë kolegët socialistë, të cilët nuk janë paraqitur në mbledhje.
“Pritëm kolegët që të vinin, rreth 30 minuta. Janë në kryesinë e Kuvendit, por nuk kanë ardhur. Koncesionet në Shëndetësi kanë kushtuar 200 mln euro dëm shtetit. Sot në rendin e ditës kishim kërkuar miratimin e kërkesave për informacion. Është mbledhja e 6 qe bojkotohet nga deputetët e PS-së, pa asnjë arsye legjitime. Duke mos pasur kuorumin e nevojshëm, do të detyrohem ta konsideroj të mbyllur këtë mbledhje, për të ftuar mediat për një prononcim. Deputetëve të Komisionit Hetimor nuk i lejohet të mbajë konferencë në këtë sallë. Kjo është një diskriminim i vazhdueshëm”,-tha Vokshi.