I dyshuari për vrasjen e 5 personave dhe plagosjen e 8 të tjerëve në aeroportin Fort Lauderdale të Floridës (SHBA) është 26-vjeçari Esteban Santiago, një veteran lufte në Irak.
26-vjeçari hapi zjarr në zonën e tërheqjes së bagazheve, në Terminalin 2 të aeroportit. Dëshmitarët thonë se ai ishte shumë i qetë dhe nuk tha asgjë ndërkohë që qëllonte njerëzit që mundoheshin të iknin ose të fshiheshin.
Ai iu dorëzua policisë pasi i mbaruan municionet.
“Nuk përjashtojmë asgjë, as terrorizmin. Po hetojmë me imtësi për të përcaktuar motivet e këtij sulmi”, tha George Piro i FBI-së.
Esteban Santiago do të dalë përpara gjykatës ditën e hënë.
Mediat amerikane thonë se ky person ka probleme mendore dhe mendohet se ka thënë më parë këto fjalë: “Qeveria më kontrollon mendjen dhe më bën të shoh video xhihadiste”.