Hetimet kanë përjashtuar pistën e hakmarrjes me Memat si shkak i masakrës së Elbasanit me 3 të vdekur e 8 të plagosur.
Sipas të dhënave, nga hetimet e kryera, kontrollet dhe verifikimet në lidhje me pistën e parë, atë të hakmarrjes së vjetër, është përjashtuar që pista e krimit të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës të jetë hasmëria me familjen e Fadil Memës.
Për hetuesit, pista kryesore është larja e hesapeve, ku në mes është çështja e trafiqeve. Të dhënat flasin për një implikim të personave të familjes Çapja në trafiqe, por që ka sjellë reagimin ekstrem të personave me të cilët ishin konfliktuar së fundmi.
Nuk jepen emrat e personave që janë të përfshirë, edhe pse zyrtarisht asnjë prej tyre nuk ka pasur procedim nga Policia e Elbasanit. I vetmi person me dosje për trafik droge ishte Eno Bedalli, një prej viktimave të masakrës. Edhe ai i arrestuar në vitin 2013 nga policia italiane. Vetë Bedalli, ashtu si dhe viktimat e të plagosurit e tjerë në lokal, nuk ishin ndaluar ndonjëherë në Elbasan apo në qytete të tjera të vendit.