Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Martin Dvorak: Retorika agresive po e dëmton Kosovën dhe perspektivën e saj

2025/06/12 at 9:15 AM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 16 min
A A
Martin Dvorak: Retorika agresive po e dëmton Kosovën dhe perspektivën e saj

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, por ende mbetet peng i mendësisë së pasluftës dhe mungesës së kompromisit. Kështu e përshkruan gjendjen aktuale të vendit ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, në ditën kur Kosova shënon 26-vjetorin e çlirimit.


Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dvorak, autor i librit “Kosova nën lëkurën time” dhe qytetar nderi i Istogut, thotë se “retorika agresive” dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai bën thirrje për qetësim të situatës, rifillim të dialogut me Serbinë dhe dërgim të sinjaleve pozitive në Bruksel, duke theksuar se “pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE”.

Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Dvorak shërbeu si administrator i Kombeve të Bashkuara në komunën e Istogut, ku udhëhoqi procesin e rindërtimit pas luftës në Istog, Gjakovë dhe rajonin e Pejës. Ai ka shërbyer gjithashtu në Irak dhe ka përfaqësuar Çekinë në SHBA, Kuvajt dhe Katar. Në qershor të vitit 2021 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ndërsa nga maji i vitit 2023 ushtron detyrën e ministrit për Çështjet Evropiane.

“Rreth 70 për qind e vendit ishte shkatërruar”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Dvorak, 26 vjet më parë keni shkuar në një Kosovë të shkatërruar nga lufta si pjesë e misionit të OKB-së. Cila është pamja e parë që ju vjen në mend kur e kujtoni atë kohë në Pejë dhe në Istog, ku ishit i vendosur?

Martin Dvorak: E dini, ndjenja ime e parë ishte një tronditje e vërtetë, sepse, për herë të parë në jetën time, vizitova një vend që ishte ende në luftë, ose të paktën shumë pak kohë pas luftës. Ju mund ta dini, edhe pse jeni e lindur pas luftës, me aq sa e kuptova. Pra, mund ta dini që rreth 70% e vendit ishte shkatërruar, njerëzit ishin pa çati, pa strehë dhe, natyrisht, asgjë nuk funksiononte, gjithçka ishte shkatërruar.

Qëllimi ynë ishte ta përgatisnim vendin për dimrin që po vinte. Para së gjithash t’u siguronim strehim njerëzve dhe t’u jepnim ujë dhe ushqim, dhe ngadalë, hap pas hapi, të rinisnim ndërtimin e një shteti funksional që nga fillimi. Kjo ishte detyra jonë dhe veçanërisht Istogu ishte shumë miqësor, shumë specifik, sepse kryetari i komunës [i ndjeri Fadil Ferati]ishte shumë i hapur dhe i moderuar. Ai ishte burgosur nga serbët dhe kishte lexuar Vaclav Havelin [ish-presidentin çek] gjatë kohës sa ishte në burg, kështu që nga fillimi u bëmë miq shumë të mirë, diskutoja me të.

Ai ishte më shumë filozof sesa kryetar komune apo politikan. Krijuam një marrëdhënie shumë miqësore dhe kjo më ndihmoi shumë që në fillim, kur nisa si administrator i Istogut. Ndjenja ime është ende e njëjtë, e dua Kosovën, i dua njerëzit e Kosovës dhe me të vërtetë besoj se shumë shpejt do të bëheni pjesë e familjes evropiane.

Kosova, “periudha më e suksesshme e jetës sime”

Radio Evropa e Lirë: Faktikisht, kur ju vizituat Radion Evropa e Lirë, aty ku u takuam për herë të parë, më thatë se Kosova është një vend i veçantë për ju dhe tani e kuptoj pse. Keni shkruar edhe një libër dikur, që quhet “Kosova nën lëkurën time”. Çfarë kishte në Kosovë që la një gjurmë kaq të thellë tek ju?

Martin Dvorak: Siç e thashë, ishte një përvojë jashtëzakonisht e fortë. E thashë edhe para se ta lëshonit kamerën. Për mua, ndoshta ishte periudha më e frytshme dhe më e suksesshme e jetës sime.

Edhe pse isha kryetar i një qyteti çek menjëherë pas revolucionit, ai ishte disi edhe kualifikimi im, dhe u ftova të marr pjesë në këtë mision të OKB-së. Mbaj mend që e përjetova kalimin nga një regjim totalitar në demokratizim dhe demokraci, dhe e njëjta gjë pritej edhe nga unë, edhe nga Kosova në atë kohë.

Por unë, me të vërtetë, e ndjeja që mund të ofroja ndihmë të vërtetë për njerëzit, dhe kjo është ndjenja më e mirë që mund të ketë një politikan. Sepse, zakonisht, ti punon në shërbime publike, prodhon shumë letra, shumë takime, shumë takime të frytshme, por shumë takime për asgjë. Ndërsa këtu, me të vërtetë ndjeja se ajo që po bëja, kishte kuptim, ishte ndihmë konkrete për njerëzit që me të vërtetë kishin nevojë. Dhe, kjo ishte një përvojë formuese për mua.

Do t’ju jap një shembull. Vendosëm, siç e përshkruaj në libër, të bënim një lloj privatizimi. Sepse, pas luftës, serbët u larguan dhe anëtarët e UÇK-së erdhën me kallashnikovë dhe morën dyqanet, gjithçka nëpër qendra tregtare dhe fshatra të Istogut. Pa ndonjë bazë ligjore, thjesht hynin dhe i merrnin për vete.

Unë u thashë: “Jo djem, kjo nuk është ligjore, nuk mund të vazhdojmë kështu. Le ta bëjmë një privatizim zyrtar”. E përgatitëm në të njëjtin stil siç e kishim bërë në Çekosllovaki para 50 vjetësh.

Në atë kohë gjeta edhe një banesë në Istog, dhe çdo mbrëmje ulesha në shesh, në qendër të fshatit, në një kafene dhe bisedoja me djemtë, kosovarët, me një përzierje të gjuhës gjermane, ruse, serbe e angleze… dhe flisnim për jetën.

Natën e fundit para privatizimit, shkova në kafenenë time të preferuar dhe pronari më tha: “Më fal, z. administrator, sot nuk kam kafe për ju, sepse nesër do ta mbyllësh dyqanin tim për privatizim. Por, ju lutem, prisni pesë minuta dhe do të shkoj te fqinjët, ata do ta përgatisin kafen për ju”.

Unë prisja që ata të ishin të nervozuar ose shumë të mërzitur, por ata pranuan gjithçka që kishim përgatitur, sepse e panë që unë po veproja në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Kjo për mua ishte një përvojë shumë, shumë e fortë, dhe e mbaj mend këtë moment për një kohë shumë, shumë të gjatë.

“Ajo që s’ka ndryshuar është mendësia e njerëzve”

Radio Evropa e Lirë: Po, dhe siç mund të shihet edhe nga libri juaj i botuar në vitin 2000, nga i cili përmendët edhe historinë, ju i përshkruani fshatrat e djegur, infrastrukturën e shkatërruar dhe gjithashtu komunitetin e traumatizuar, për të cilin po flasim tani. Lufta ishte padyshim e vështirë, por ju e keni vizituar Kosovën edhe më vonë. Kur e shikoni sot, cili transformim ju bie më shumë në sy?

Martin Dvorak: Mahnitëse, mahnitëse. Jam rikthyer pas shtatëmbëdhjetë vjetësh – para dy ose tre vjetësh – dhe e vizitova qytetin dhe fshatin tim të dashur në komunën e Istogut. Pata shumë takime bilaterale me udhëheqësit, administratorët dhe presidenten. Dhe, mund të them që u trondita në kuptimin pozitiv nga përparimi që kishte bërë vendi, të themi sa i përket “hardware-it”.

Rrugë krejt të reja, ura, ndërtesa, hapësira publike të reja në qytete dhe fshatra. Vendi duket mahnitshëm.

Ajo që nuk ka ndryshuar aq shumë, është, të themi, “software-i”, mendësia e njerëzve. Ata janë ende, në njëfarë mënyre, në kohën e luftës ose menjëherë pas saj. Ka ende shumë urrejtje, shumë pakënaqësi me situatën aktuale dhe unë përpiqem ta shpjegoj këndvështrimin tim që vendi me të vërtetë ka nevojë ta hapë zemrën për një të ardhme më të mirë, për të mësuar se si të jetojë bashkë me serbët.

E di që ka shumë, shumë arsye pse kjo është e komplikuar, por mendoj se, për momentin, Kosova po humb pozicionin që e kishte fituar me qeveritë e mëparshme, atë të palës që është e hapur për negociata dhe e gatshme të jetojë bashkë me serbët në konfliktin Kosovë-Serbi.

Tani, mendoj se Qeveria kosovare nuk po tregon mjaft vullnet të mirë dhe hapje për ta udhëhequr dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje të mirëfilltë.

Kjo është ndjenja ime personale dhe jam në kontakt me shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në Kosovë apo Serbi, por edhe në disa shtete të tjera, dhe jam një nga ata që me të vërtetë e mbështesin zgjerimin e BE-së, përfshirë edhe me Kosovën. Por, për aq kohë sa Kosova nuk është në gjendje të negociojë me serbët dhe e di që të dyja palët duhet të kenë vullnet të mirë… por për aq kohë sa Kosova mbetet në atë pozicionin “ne jemi viktima” dhe nuk është në gjendje të bëjë një hap pas, një gjë e tillë sjell situata të ndërlikuara si për të dyja vendet, ashtu edhe për vetë Ballkanin Perëndimor.

“Retorika agresive nuk është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet”

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se, që nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie, ju, personalisht, mendoni se Kosova ka bërë regres në bashkëjetesën brenda të njëjtit komunitet me serbët? A e kam kuptuar saktë atë që po thoni?

Martin Dvorak: Unë nuk përpiqem dhe nuk më pëlqen ta sulmoj shpesh qeverinë tuaj. Besoj se qeveria juaj po përpiqet dhe po bën më të mirën për një të ardhme më të mirë të Kosovës.

Ajo për të cilën po flas, është një lloj retorike agresive që i ka dhënë forcë qeverisë së tanishme, sepse ajo paraqitet si një udhëheqëse e fortë që do ta mbrojë Kosovën me forcë. Dhe kjo më tremb pak, sepse nuk mendoj se është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet.

Është shumë e lehtë t’i provokosh njerëzit drejt një reagimi agresiv, drejt urrejtjes. Por, ajo që është e nevojshme në këtë situatë, është të qetësohet ajo sa më shumë dhe të dërgohet një mesazh: “Shikoni, jemi ‘të dënuar’ të jetojmë së bashku. Serbët nuk kanë mundësi të largohen. Ne do të qëndrojmë këtu, ndoshta jo përjetësisht, por për breza të tërë. Dhe, duhet të gjejmë një mënyrë, një modus, për të jetuar së bashku”.

Po ju tregoj një ngjarje që është përshkruar edhe në librin tim. Në Kosovë, ndoshta e dini, ka një fshat serb që quhet Çerkolez. Në atë kohë, ne po përpiqeshim të formonim një këshill të përkohshëm komunal, sepse ishte i nevojshëm për jetën e përditshme – dikush duhet të pastrojë, të mësojë në shkolla, të kujdeset për rrugët, e kështu me radhë.

Kështu që po u kërkonim banorëve lokalë të merrnin përgjegjësi për jetën e përditshme dhe po përpiqeshim të formonim këshillin komunal.

E vizituam fshatin së bashku me miqtë e mi shqiptarë, mes tyre edhe kryetari shqiptar i komunës. Filluam negociatat me serbët lokalë – ishte shumë e ndërlikuar, por atmosfera ishte ende e qetë.

Më pas, atmosfera filloi të përkeqësohej dhe ndjeva se diçka po shkonte keq. Në atë moment, truproja i mikut tim kryetar shqiptar tha: “Shikoni, unë kam luftuar kundër serbëve. Kam qenë në male. Asokohe, disa serbë erdhën në shtëpinë time dhe vranë vajzat e mia, gruan time dhe vjehrrin. Dhe tani jam këtu, duke u përpjekur të negocioj, të diskutoj me ju se si mund të jetojmë bashkë për brezat e ardhshëm”.

Ishte një moment shumë i fuqishëm. Dhe e kuptova se ka kosovarë që me të vërtetë kërkojnë një mënyrë bashkëjetese me serbët. Por, për sa kohë që politikanët do ta shfrytëzojnë situatën për përfitime politike dhe do ta përshpejtojnë urrejtjen dhe armiqësinë, nuk ka rrugëzgjidhje. Kjo është ajo që po përpiqem të them. E kuptoj që politikisht është shumë e lehtë të krijosh një imazh të armikut si kërcënim, dhe pastaj të thuash “duhet të luftojmë kundër tij”, por kjo nuk ka kuptim për të ardhmen.

Gjasa të pakta që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat

Radio Evropa e Lirë: Si ministër çek për Çështjet Evropiane, ju e keni mbështetur integrimin e Kosovës në BE. Megjithatë, skepticizmi vazhdon të jetë i pranishëm në Bruksel. Pse?

Martin Dvorak: Siç e thashë, kjo është një çështje shumë më e gjerë sesa vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ballkani Perëndimor ka shumë probleme. Ka pasur diskutime të gjata nëse duhet trajtuar ky rajon si një tërësi dhe të pritet një zgjidhje përfundimtare, ku të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëheshin anëtare të BE-së në të njëjtën kohë. Por, përfundimisht, të gjithë e kuptuan që kjo nuk është rruga e duhur. Duhet të zgjedhim nxënësit e mirë, shembujt e mirë, për t’u bërë ftesë edhe të tjerëve që t’i ndjekin. Dhe, pastaj, të gjithë thonë se, për sa kohë që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës nuk po vazhdon me fryte, nuk ka zgjidhje.

Duhet të kuptojmë, gjithashtu, se së paku pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende zyrtarisht Kosovën. Edhe kjo është një komplikim shtesë në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, në mënyrë pozitive, mund të themi se pas pushtimit rus të Ukrainës, dëshira për të vazhduar me zgjerimin e BE-së është bërë shumë më e fortë. E kuptojmë që na duhet t’i kemi fqinjët sa më afër nesh, sa më pranë BE-së. Dhe duhet t’ju ftojmë, t’ju mbajmë në anën tonë. Kjo është arsyeja pse ende po përpiqemi të negociojmë dhe po ecim në këtë rrugë për ta përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Sigurisht që kemi edhe çështjet me Ukrainën dhe Moldavinë – pjesë tjetër e diskutimit. Por, nga këndvështrimi im personal, unë jam qytetar nderi i Kosovës dhe një mbështetës i madh i vendit tuaj. Megjithatë, mendoj se situata e tanishme është shumë e ndërlikuar që Kosova të pranohet tani si shtet kandidat. Së pari, duhet ta gjeni mënyrën se si të jetoni dhe të komunikoni me Serbinë, pastaj mund të vazhdojmë me “detyrat e shtëpisë” drejt BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë hapash konkretë mendoni se duhet të ndërmarrë Kosova tani për ta përshpejtuar rrugën e saj drejt BE-së?

Martin Dvorak: Mendoj se është e domosdoshme të dërgohen mesazhe pozitive, sinjale pozitive. Duhet të thuhet: “Jemi në rrugën e duhur për të negociuar, për t’i zgjidhur problemet ose, të paktën, për ta qetësuar situatën. Jemi të gatshëm të komunikojmë për çështjen e pakicës serbe. Jemi të aftë të flasim për të drejtat e saj dhe si t’i mbrojmë ato”.

Dhe, sigurisht, nga ana serbe gjithashtu duhet të kërkohet: “Ju lutem, hapni dyert, hapni zemrat. Filloni të punoni vërtet për bashkëjetesën, për mënyrën se si të jetojmë së bashku, dhe jo vetëm për të nxitur urrejtje ndaj njëri-tjetrit”.

“Retorika dhe deklaratat politike nuk po çojnë drejt zgjidhjes”

Radio Evropa e Lirë: Të dy e përmendëm tensionin – tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, por ju, gjithashtu, i keni përjetuar ato edhe pas luftës, siç e thatë. Sipas jush, cila është pengesa më e madhe për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë? Dhe, si e vlerësoni gjendjen aktuale të dialogut mes dy vendeve?

Martin Dvorak: E dini si thonë? Aty ku ka vullnet, ka edhe rrugë. Nëse me të vërtetë dëshiron të arrish një marrëveshje, do ta gjesh mënyrën për ta bërë. Ajo që shoh aktualisht, është se të dyja palët nuk po kërkojnë realisht një marrëveshje.

Kjo është rezultat i tensioneve të gjata dhe i retorikës politike që ka ekzistuar për vite me radhë. Nuk mund ta imagjinoj asnjë politikan kosovar apo serb që thotë: “Shikoni, ne kemi vendosur me të vërtetë t’u japim fund të gjitha përplasjeve dhe tani do të ulemi të negociojmë sinqerisht për mënyrën se si të jetojmë bashkë”. Një deklaratë e tillë nuk do të pranohej as nga popullata në Serbi, as nga ajo në Kosovë. Pra, po flas për retorikën dhe deklaratat politike, të cilat ende nuk po çojnë drejt një zgjidhjeje të vërtetë, apo të paktën fillimit të një zgjidhjeje.

Të dyja palët janë të ngujuara në pozicione të forta: “Ata janë armiqtë tanë dhe nuk mund të negociojmë, nuk mund të jetojmë bashkë me ta. Nuk ka rrugë tjetër”. Unë vërtet besoj se nevojiten disa breza paqeje. Dhe ndoshta pastaj do të fillojnë të bashkëpunojnë në biznes. Ndoshta ndonjë vajzë serbe bie në dashuri me një djalë shqiptar – si Romeo dhe Zhuljeta – dhe ata fillojnë të krijojnë një familje të përzier, apo diçka e tillë.

Por, për momentin, situata dhe atmosfera në të dyja anët janë tepër të ashpra dhe të ngarkuara. Prandaj, mendoj se do të duhet kohë.

Radio Evropa e Lirë: Po shohim se edhe Kosova, edhe Serbia po përballen me sfida të ndryshme për momentin. Për shembull, Kosova është përballur me masa kufizuese apo vonesa nga ana e Bashkimit Evropian – qoftë në financim, mbështetje politike apo hapa drejt integrimit, që shpesh lidhen, siç dëgjojmë edhe nga zyrtarët e BE-së, me ecurinë e dialogut me Serbinë. A besoni se këto masa janë të drejta? Dhe, çfarë mund të bëjë konkretisht Republika Çeke – që, siç e përmendët, është aleate e fortë e Kosovës – për të ndihmuar në heqjen e tyre apo ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës brenda BE-së?

Martin Dvorak: Republika Çeke, siç e thatë, ka qenë gjithmonë në anën e zgjerimit dhe përfshirjes së të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Dhe, siç e thashë, ne besojmë se, në situatën aktuale politike dhe gjeopolitike, është e nevojshme ta zgjerojmë zonën e ndikimit të BE-së dhe t’ju mbajmë afër nesh, në anën tonë.

Por, nga ana tjetër, nuk mund të heqim dorë nga parimi i kritereve të bazuara në merita. Ekzistojnë disa kritere, disa kërkesa dhe disa rregulla që duhet të përmbushen në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Dhe, për fat të keq për Kosovën, problemi më i madh vazhdon të jetë përmbyllja, ose të paktën nisja dhe zhvillimi i dialogut me Serbinë me rezultate reale dhe të dukshme, të cilat ende nuk i kemi parë.

E kuptoj që për politikanët në të dyja palët është shumë e vështirë ta ndryshojnë retorikën, t’i hapin zemrat dhe duart për të thënë: “Hajde të ulemi, të përpiqemi ta gjejmë një rrugë”. Por, siç e thashë më herët, mendoj se duhen disa breza qetësie dhe paqeje, dhe ndoshta, ndoshta atëherë do të mund të fillojnë negociatat.

Sa më shpejt që lexuesit tuaj dhe qytetarët të jenë të gatshëm për këtë, aq më afër do të jetë mundësia për t’u bërë anëtarë të BE-së.

Moskonstituimi i Kuvendit, “situatë paradoksale”

Radio Evropa e Lirë: Po sa i përket gjendjes aktuale brenda Kosovës – si e shihni atë?

Martin Dvorak: Është një situatë vërtet paradoksale. Nuk besoj se ndokush e mban mend ndonjëherë një situatë si kjo që po ndodh tani në Kosovë – 30 herë është tentuar të votohet kryetari i Kuvendit pas zgjedhjeve.

Kjo tregon se situata në Kosovë është shumë, shumë e ndjeshme dhe e ndërlikuar. Dhe më vjen keq ta them, por unë shoh mungesë vullneti të mirë. I mbaj mend mirë miqtë e mi të dashur në Kosovë – ndonjëherë janë pak kokëfortë, apo jo? Dhe më duket se kjo është pikërisht situata këtu. Nga këndvështrimi im, si i huaj, nëse një vend nuk është në gjendje të bëjë një hap kaq të thjeshtë, siç është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, atëherë si mund ta udhëheqë vendin vetë? Si mund ta çojë vendin në mënyrë pozitive drejt negociatave me Serbinë, kur deklaratat e tyre politike janë gjithçka tjetër, përveçse miqësore? E kuptoj se ata janë në garë, se po përpiqen të fitojnë sa më shumë mbështetje publike. Por, ndonjëherë, si politikan, duhet të bësh gjëra që nuk janë të njohura apo të pëlqyera, por janë të domosdoshme. Shembulli me kryetarin e Kuvendit tregon se çfarë lloj problemi ka Kosova. Udhëheqësit kosovarë, ndonjëherë, kanë nevojë për më shumë vullnet të mirë për të ndërmarrë hapa pozitivë, për të bërë kompromis. Ky është vetëm një votim në Kuvend. Dikush duhet ta bëjë. Dhe ata ende nuk janë në gjendje. Tridhjetë përpjekje për ta zgjedhur udhëheqësinë e Kuvendit!

Kjo është një provë e fuqishme për atë se çfarë mund të jetë problemi – mungesa e gatishmërisë për të bërë një kompromis, i cili mund të jetë i dhimbshëm, por është i domosdoshëm në politikë.

Mendoj se situata në Kuvendin e Kosovës reflekton drejtpërdrejt edhe problemin në marrëdhëniet Kosovë-Serbi: mungesë vullneti për kompromis. Dhe, kompromisi është i domosdoshëm.

Radio Evropa e Lirë: A mund të ndihmojë komuniteti ndërkombëtar?

Martin Dvorak: Dy gjëra mund të bëjmë. E para është që të përsërisim, përsërisim dhe përsërisim: “Të nderuar, ju duhet të filloni dialogun dhe të arrini përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”. Dhe e dyta është, sigurisht, mund të gjejmë instrumente për t’ju ndihmuar – jo vetëm në politikë, por edhe në ekonomi – për të bashkëpunuar, për të gjetur mënyra që t’i hapim dyert për tregun e përbashkët, apo, për shembull, në fushën e roaming-ut. Mund t’ju mbështesim dhe t’ju japim sinjale pozitive dhe arsye përse nuk duhet kurrë të ndaleni në synimin tuaj për t’u bërë pjesë e familjes së BE-së.

Dhe besoj se – kam pasur takime me zonjën presidente, me kryeministrin, me shumë prej liderëve tuaj… dhe gjithmonë e përsëris të njëjtin mesazh: “Ju lutem, përpiquni ta qetësoni situatën, përpiquni të gjeni një mënyrë se si të jetoni së bashku me serbët, brenda kornizës që e përcaktojnë rregullat e BE-së. Sepse, nëse doni të bëheni anëtarë të këtij klubi, duhet t’i respektoni rregullat e klubit”.

Kosova “s’përbën kërcënim për sigurinë në Evropë”

Radio Evropa e Lirë: E përmendët më herët situatën aktuale në Evropë. Shohim tensione në rritje në Ballkanin Perëndimor, për shkak të pasigurisë së vazhdueshme – nga Ukraina në Lindjen e Mesme. Si i vlerësoni rreziqet e sigurisë me të cilat përballen sot Kosova dhe rajoni? Dhe, çfarë mund të bëjnë vendet, si Republika Çeke, për të garantuar stabilitet afatgjatë dhe ndikim të jashtëm konstruktiv?

Martin Dvorak: Nuk mendoj se Kosova përbën ndonjë kërcënim për sigurinë në Evropë. Besoj dhe e di që vendi juaj gjithmonë ka qenë në anën e duhur të kësaj përballjeje, sidomos përballë Rusisë. Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar dhe ka vepruar mirë në këtë drejtim.

Për mua, Ballkani Perëndimor dhe qytetarët e Kosovës janë aleatët tanë në luftën për demokraci, për liri dhe për vlerat që ne i mbështesim.

Dhe tani, ata janë nën kërcënim – ndoshta nga Rusia, ndoshta nga Kina, ndoshta edhe nga SHBA-ja, nuk e di. Nga kjo pikëpamje, besoj se mund të mbështetemi te ju. Mund të mbështetemi te Kosova dhe Ballkani Perëndimor – ndoshta jo te të gjitha vendet – që do të qëndrojnë në anën tonë, krah për krah me ne, në një situatë ku duhet t’i mbrojmë vlerat në të cilat besojmë.

Nga ana tjetër, ajo që na nevojitet nga ju, është ta qetësoni situatën e brendshme.

Radio Evropa e Lirë: Një brez i ri është rritur tashmë në Kosovë që nga lufta. Nëse do t’u flisnit drejtpërdrejt atyre, të rinjve të lindur pas vitit 1999, cili do të ishte mesazhi juaj me rastin e 26-vjetorit të çlirimit?

Martin Dvorak: Të dashur të rinj, jini në rrugë të drejtë! Me gjithë zemër ju uroj që ta arrini ëndrrën tuaj, që sipas meje është të jetoni në demokraci, në liri dhe pavarësi, dhe të bëheni anëtarë të plotë të familjes evropiane.

Ju dëshiroj të gjitha të mirat dhe sukses në këtë rrugë. Por, nga ana tjetër, duhet t’i bëni “detyrat e shtëpisë” dhe ato janë të shumta. Prandaj, ju lutem, përgatituni të punoni fort për këtë. Sepse një ditë do ta arrini. REL



Ju sugjerojmë

Zbulohet rasti i lojërave të fatit të paligjshme në Korçë, arrestohen dy persona
Kronikë

Zbulohet rasti i lojërave të fatit të paligjshme në Korçë, arrestohen dy persona

13 Qershor, 2025 9:07 am
Pasojat e sulmeve izraelite ndaj Iranit/ Tronditen tregjet, rritet çmimi i naftës
Bota

Pasojat e sulmeve izraelite ndaj Iranit/ Tronditen tregjet, rritet çmimi i naftës

13 Qershor, 2025 9:03 am
Anulohen fluturimet në rajonin e Lindjes së Mesme
Bota

Anulohen fluturimet në rajonin e Lindjes së Mesme

13 Qershor, 2025 9:02 am
Sulmi “Rising Lion”, Izraeli vrau dhe gjeneralin e rëndësishëm të Iranit
Bota

Sulmi “Rising Lion”, Izraeli vrau dhe gjeneralin e rëndësishëm të Iranit

13 Qershor, 2025 9:00 am
Netanyahu: Nëse të gjithë pengjet nuk kthehen, i gjithë ferri do të shpërthejë
Bota

Izraeli godet objektivat bërthamore në Iran, Netanyahu: Operacioni do të vazhdojë

13 Qershor, 2025 8:59 am
Kundërpërgjigjet Irani, lëshon 100 dronë drejt Izraelit
Bota

Kundërpërgjigjet Irani, lëshon 100 dronë drejt Izraelit

13 Qershor, 2025 8:57 am
Izraeli, sulme ajrore ndaj Iranit/ Shpallet gjendje e jashtëzakonshme
Bota

Izraeli, sulme ajrore ndaj Iranit/ Shpallet gjendje e jashtëzakonshme

13 Qershor, 2025 8:30 am
Parashikimi i motit, 17 shtator 2024
Kryesore

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

13 Qershor, 2025 8:21 am
Horoskopi, 7 shtator 2023
Kryesore

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

13 Qershor, 2025 8:06 am
Tiranë/ Humb jetën 64-vjeçari në Petrelë, familjarët: U tërhoq nga një kafshë
Kronikë

Makina del nga rruga në aksin Tiranë-Lezhë, 4 persona të plagosur

12 Qershor, 2025 10:50 pm
Para
12 qershor, Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve

12 qershor, Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve

Vrasja në Klos/ Policia jep detaje: Autori ishte fshehur në banesën e vëllait

Vrasja në Klos/ Policia jep detaje: Autori ishte fshehur në banesën e vëllait

Iu gjet armë zjarri e një sasi municioni luftarak/ Pranga 28-vjeçarit, 2 në kërkim

Iu gjet armë zjarri e një sasi municioni luftarak/ Pranga 28-vjeçarit, 2 në kërkim
















TE FUNDIT

Zbulohet rasti i lojërave të fatit të paligjshme në Korçë, arrestohen dy persona

Zbulohet rasti i lojërave të fatit të paligjshme në Korçë, arrestohen dy persona
13 Qershor, 2025

Dy shtetas janë arrestuar në flagrancë në Korçë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi u kapën duke organizuar...

Lexo më shumë

Pasojat e sulmeve izraelite ndaj Iranit/ Tronditen tregjet, rritet çmimi i naftës

Pasojat e sulmeve izraelite ndaj Iranit/ Tronditen tregjet, rritet çmimi i naftës
13 Qershor, 2025

Sulmet ajrore të Izraelit mbi objektiva bërthamore dhe ushtarake në Iran kanë shkaktuar tronditje të menjëhershme në skenën ndërkombëtare. Ndërsa...

Lexo më shumë

Anulohen fluturimet në rajonin e Lindjes së Mesme

Anulohen fluturimet në rajonin e Lindjes së Mesme
13 Qershor, 2025

Fluturimet rreth Lindjes së Mesme po anulohen, pasi pasagjerët në Irak, Jordani, Liban, Irani dhe Dubai po hasin vonesa. Emirates...

Lexo më shumë

Sulmi “Rising Lion”, Izraeli vrau dhe gjeneralin e rëndësishëm të Iranit

Sulmi “Rising Lion”, Izraeli vrau dhe gjeneralin e rëndësishëm të Iranit
13 Qershor, 2025

Gjenerali Mohammad Hossein Bagheri, është një tjetër figurë e rëndësishme e ushtrisë iraniane që është vrarë në sulmin ajror të...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com