Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për marrëveshjen e nënshkruar ditën e sotme.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Kryemadhi përshëndet marrëveshjen dhe nxit qeverinë e ardhshme të Kosovës në tejkalimin e sfidave të integrimit europian si dhe në një bashkëpunim sa më të suksesshëm me Shqipërinë.
“Shpreh kënaqësinë dhe përshëndes arritjen e Marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re të Kosovës midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike.
I uroj VV dhe LDK sukses në krijimin e një qeverie të qëndrueshme e efikase në përballjen me sfidat e mëdha në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në njohjet e reja dhe integrimin e mëtejshëm në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Uroj gjithashtu që mes dy vendeve tona të rritet më tej bashkëpunimi dhe integrimi në të mirë të të gjithë qytetarëve, si dhe për forcimin e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”, shkruan Kryemadhi. /Opinion.al