Një mesazh urimi për 113-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur edhe nga SHBA. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio thotë se në emër të SHBA uron popullin shqiptar në këtë ditë të shënuar, ndërsa vlerëson partneritetin e fortë me Shqipërinë.
Në deklaratën zyrtare, Rubio vë theksin edhe te aleanca e NATO-s, si një themel i mbrojtjes së përbashkët, ndërsa shton se mirëpret edhe investimet në rritje të Shqipërisë në këtë aspekt. Ndalet gjithashtu edhe te partneriteti me zbatimin e ligjit në Shqipëri. Rubio thotë se mezi pret që të forcojnë më tej bashkëpunimin mes vendeve në fusha të ndryshme.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.”, thuhet në reagim.















