Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i dërgoi sot Presidentit të Republikës Bujar Nishani propozimin për faljen e të dënuarës Nazime Visha. Propozimi i Manjanit është bërë në bazë të ligjit për faljen. “Kriteret ligjore për faljen e këtij rasti janë përmbushur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Nazime Visha, e dënuara me 10 vjet burg për “vrasje me paramendim” të kryer në moshën 18vjeçare kërkon edhe ulje dënimi.Visha po vuan dënimin për vrasjen e Fiqiri Muçës më 13 gusht 2012 në Kërrabë, Tiranë, nga i cili pretendonte se ishte abuzuar seksualisht për katër vite me radhë. Kërkesa e saj për ulje të masës së dënimit është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 19 janar të këtij viti, e cila shqyrtohet nga gjyqtari Lazër Sallaku.
Përmes kësaj kërkesë, Visha kërkon të përfitojë nga e drejta e çdo të burgosuri me një vendim të formës së prerë për të përfituar uljen deri në 90 ditë në vit nga dënimi për shkak të sjelljes së mirë në institucionin e vuajtjes së dënimit.