Deputeti i Partisë Socialistë, Ulsi Manja, tha se krahasimi i projektbuxhetit për vitin 2026 është i pakrahasueshëm me buxhetet e Partisë Demokratike në vitet që kjo forcë politike ka qenë në pushtet, pasi ndryshojnë për nga përmasa, detajimi dhe shpërndarja meritokratike.
“Sa herë vjen seanca e diskutimit të buxhetit në Kuvend, të gjithëve themi se është seanca më rëndësishme në jetën e parlamentit. Ne nuk presim ta duartrokisni buxhetin tonë, sepse kjo seancë shfaqet në një mënyrë të qartë edhe dallimi politik midis 2 kahjeve tona, dhe ky buxhetin lidhet me vizion qeverisës 2025-2030. Nuk jemi të gjithë ekonomistë a financierë, po jemi me profesione të ndryshme, por dimë t’i lexojmë shifrat e buxhetit. U tha buxheti i Partisë Demokratike. Nuk krahasohet as ky buxhet e as buxhetet tona përgjatë 12 viteve. Janë mbi 9 miliardë euro. Ky buxhet garanton mirëqenien e qytetarëve, ky buxhet konsolidon financat publike. Borxhi publik vjen në rënie. Buxheti është shpërndarë në mënyrë të tillë që garantin një zhvillim gjithëpërfshirës të ekonomisë”,- tha Manja.
Më tej, Manja u kërkoi deputetëve të Partisë Demokratike që të mos ankohen për një buxhet, që sipas tyre nuk ka si objektiv përfitimin e qytetarëve, ndërkohë që u paraqiten shqiptarëve me veshje luksoze.
“Kur shkoni te njerëzit për të nxjerrë foto në FB, mos shkoni me veshje 5000-6000 euro se është gjynah”,- tha Manja.














