Autoritetet e Malit të Zi e kanë shpallur sërish epideminë e koronavirusit në tërë territorin e vendit. Njoftimi është bërë nga ana e qeverisë malazeze.
Më 2 qershor vendi i Ballkanit Perëndimor e kishte shpallur të përfunduar epideminë, mirëpo në javët e fundit, numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri, ka shënuar rritje.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1.920 ndërsa janë regjistruar 26 vdekje nga COVID-19.
Mbajtja e maskës mbrojtëse në mjedise të hapura dhe të mbyllura është e detyrueshme në territorin e Malit të Zi, përveç plazheve dhe parqeve kombëtare, me kushtin e mbajtjes së distancës fizike.
Tubimet janë të kufizuara në 40 persona në vende të hapura publike, dhe në 20 persona në vende të mbyllura.