Ndalemi sot në rastin makabre të një vajze 23-vjeçare nga Bulqiza, e cila sipas dëshmisë së saj, është dhunuar nga partneri i saj 24 vjeç, Klejvis Metalla. Shkak për këtë situatë u bë shtatzënia e vajzës, e padëshiruar nga Klejvisi.
Klejvis Metalla: Unë po të them, e ka dash kjo, e ka mbajt me dhunë e ka mbajt mçeftas. Tani, unë kam ardhur këtu, meqë kjo thotë, është i imi. Unë du me i gjet zgjidhje kësaj pune. Unë fëmijë nuk du, po të kisha dash, e kisha bo…
Babai i vajzës: A do gjesh ti derman nga Zoti, që do të vrasësh fëmijën tënd?!
Klejvis Metalla: Është problemi im. Unë kurrë mos gjetsha derman! Unë fëmijë nuk du…
Ky i fundit nuk donte që vajza ta mbante fëmijën, duke tentuar të bindë dhe familjarët e 23-vjeçares që ajo të abortonte në muajin e pestë ilegalisht në një klinikë në Fier. Por vajza iku duke mos pranuar të abortojë.
Denoncuesja: Aty dola nga tualeti, hodha kokrrat. Dola vrap, aty gjeta një taksi dhe ika për në Tiranë.
Gazetari: Në mënyrë ilegale do e bënte?
Denoncuesja: Po, po!
Gazetarja: Emrin si e kishte klinika?
Denoncuesja: Ishte klinikë private, vetëm emrin e doktoreshës di që e kishte Kozeta.
Gazetari: Çfarë moshë kishte?
Denoncuesja: Ishte e vjetër. Ika në Tiranë, atë natë kam ndenjur në hotel.
Gazetari: Po të mori në telefon?
Denoncuesja: Po më merrte në telefon, më shante. Më thoshte që do të të kthej, ti nuk do të shkosh dot në shtëpi. Unë po vij tek shtëpia jote. Të nesërmen në mëngjes jam nisur për në Bulqizë përsëri.
23-vjeçarja në këtë situatë vendosi që të largohej nga vendi dhe të kërkonte azil në Itali, por ky rrugëtim u ndërpre në mes.
“Një shoqe më tha që kishte folur me një hoxhë dhe i kishte thënë që ishte krim të hiqte një fëmijë 4 muajsh. Mua m’u mbush mendja. Pastaj i tregova, i thashë që kam prerë biletat. Preva biletën time në datën 30 që unë të kërkoja azil në Itali, si një femër e pambrojtur. I tregova i thashë që unë do iki, ndoshta është më mirë edhe për ty edhe për mua. Ti sa herë të duash fëmijën tënd mund të vish ta takosh. Unë do të vij në Shqipëri sapo të marr letrat. Do të ikja, do dorëzohesha në polici, vetëm të ikja”, tregoi për mikrofonin e emisionit “Stop” 23-vjeçarja
Ditën e dhunës, më 27 Janar në orën 15:30, vajza e re bashkë me të vëllain 5 vjeç u gënjye dhe hipi në makinë me Klejvisin pasi ky i fundit i kishte marrë pasaportën. Jashtë qytetit në vendin e quajtur “Gurët e Skënderbeut”, Klejvisi ka ndaluar makinën dhe ka zbritur vajzën, duke e goditur me shkelma në bark dhe në trup. Më pas i ka marrë celularin dhe është larguar në drejtim të Peshkopisë.
“Dhe më tha mirë, unë e di që ti nuk ke mundësi të nxjerrësh pasaportën, tha do vij të ta sjell unë dhe të takoj për herë të fundit. Vjen këtu dhe më merr para lagjes, bashkë me vëllain e vogël sepse mami me babin nuk ishin kishin punë, ishin në shtëpi. Sa hipi në makinë i them të më japë pasaportën e më thotë që e kishte lënë tek një shoku i tij. Hajde të ikim ta marrim, bëjmë një xhiro dhe jemi në rregull. Gjatë rrugës ndaloi tek “Gurët e Skënderbeut”. Aty vazhdon me ato sharjet, ofendimet e tij me një ton shumë të lartë. Kishte një zemërim në sy, një ton në fytyrë që unë nuk e kisha parë ndonjëherë. Zbrita nga makina të hap derën mbrapa që të marr vëllain, kur po hapja derën ky zbret. Zbret dhe direkt më gjuan me shkelm në bark me sa fuqi që kishte. Bie në tokë dhe mbaj mend veten time që po mbaja duart tek koka dhe tek barku dhe i thoja “Të lutem mos më gjuaj më!”. Unë isha e shtrirë në tokë dhe ai po më gjuante tek pjesa e kraharorit dhe tek e barkut me shkelma nga sipër. Shkelmat më prekën dhe fytyrën. Në atë moment që më pa ashtu, ka hapur derën mbrapa e kapin vëllain si leckë dhe ma hodhi aty sipër koke. Në atë moment po shikoja vëllain, e kapa e përqafova dhe thashë “të paktën ti je mirë”. Ky hipi në makinë, pastaj zbriti dhe më mori telefonin nga xhepi sepse ai e dinte që unë kam të gjitha faktet, të gjitha gjërat aty dhe patjetër që do e merrte. Më mori telefonin dhe u largua në drejtim të Peshkopisë”, tregoi më tej 23-vjeçarja.
Një kalimtar i rastit shoqëroi 23-vjeçaren në Komisariatin e Bulqizës, ndërsa vëllain e saj të vogël e çoi në shtëpi.
“Aty dola në rrugë, po e mbaja barkun me dorë, me një dorë po mbaja vëllain. Jam ulur në gjunjë dhe kam nxjerrë xhupin e vëllait sipër për të kërkuar ndihmë. Ndaloi një djalë, më pyeti, i thashë “jam shumë keq, dua të iki në komisariat”. U futa në makinë dhe i thashë a do ma çosh vëllain deri tek shtëpia, unë po ndalem tek komisariati, sepse nuk dua ta marr vëllain e vogël me vete. U ndala tek komisariati”, shton më tej.
Vajza mbërriti në polici gjithë fraktura dhe gjak, por nuk iu mor denoncimi pasi polici Dashnor Disha tha se duhet të bëhej në Tiranë, ku banonte i riu.
“Futem tek roja me gjak, me shenja e me të gjitha. Futem tek vendi i rojës dhe i them “xhaxhi Dashi dua të bëj një denoncim sepse më ka rrahur ish-burri”. I thashë dua të bëj një denoncim sepse ai mund të ikë, dua që ta kapni sa më shpejt. Më tha nga e ke këtë ish-burrin, i thashë nga Tirana. Më tha epo duhet të shkosh në Tiranë, unë nuk dua ta marr dot denoncimin për bazë ty, duhet të ikësh në Tiranë përderisa ai jeton atje”, tha 23-vjeçarja.
“Stop” i shkoi policit Dashnor Disha duke e pyetur se pse më 27 Janar nuk ia ka marrë denoncimin vajzës.
“Denoncimi asaj i është marrë nga oficeri në Peshkopi. Ka ardhur zonja këtu ka thënë kam bërë debat me bashkëjetuesin dhe dua të bëj një kallëzim. Por tha ai banon në Tiranë, s’dua me e bërë kallëzimin këtu, por në Tiranë. I thashë bëje këtu edhe kaq ishte, iku”, u përgjigj polici.
Më tej vajza ka shkuar në Komisariatin e Peshkopisë, ku dhe i është marrë denoncimi./ Tv Klan